Shkup, 11 shkurt – Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Slloveni, realizoi takim edhe me kryetarin e Qeverisë sllovene, Marjan Sharec, njofton Koha.
Në takim, siç kumtoi shërbimi për shtyp i Kuvendit të Maqedonisë, Xhaferi shprehi falënderim për mbështetjen e përhershme që e merr Maqedonia nga Sllovenia në rrugën e saj drejt realizimit të qëllimeve strategjike, duke treguar me atë rast se Sllovenia është promotori ynë i parë në Kombet e Bashkuara në kohërat e mbushura me sfida, si dhe se ka luajtur rol kyç në promovimin e pavarësisë së Republikës së Maqedonisë në Evropë dhe botë.
Kryeministri i Sllovenisë e përshëndeti guximin e Maqedonisë për hapat e ndërmarrë drejt integrimit euroatlantik dhe vlerësoi se Maqedonia është shembull pozitiv për arritjen e zgjidhjeve të përbashkëta përmes dialogut prej të cilave përfitim do të kenë të gjitha vendet nga rajoni. Nga ana e Sllovenisë është ofruar edhe ndihmë në njohuri dhe përvojë gjatë procesit integrues të Maqedonisë.
Sharec shprehi kënaqësi që Sllovenia do të jetë vendi i dytë pas Greqisë që do ta ratifikojë Protokollin për inkuadrim të Maqedonisë në NATO dhe shfaqi bindje se me këtë hap Maqedonia do të fillojë kapitull të ri në ndërtimin e vlerave evropiane të cilat garantojnë jetë më të mirë për të gjithë qytetarët dhe siguri për investimet e huaja.
Nga ana e kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë është potencuar se pas ratifikimit të Protokollit nga ana e parlamenteve nacionale të vendeve – anëtare të NATO-s, pritet që Maqedonia deri në fund të këtij viti apo në fillim të vitit të ardhshëm të bëhet anëtarja e 30-të e Aleancës.
Kryetari Xhaferi theksoi se shumica parlamentare dhe Qeveria, të vetëdijshëm për sfidat e sigurisë në rajon dhe qëllimet e vendosura strategjike shumëvjeçare të qytetarëve të saj, u përcaktua për tejkalimin e çështjeve të hapura me fqinjët. Ai potencoi se proceset nuk janë aspak të lehta, por për kënaqësinë tonë, rezultati final është gjerësisht i përshëndetur nga bashkësia ndërkombëtare dhe miqtë tanë. Ai e përshëndeti vizionin e Republikës së Sllovenisë për një Ballkan të integruar dhe stabil në NATO dhe BE , si edhe angazhimin për një rajon prosperues pa konflikte dhe çështje të hapura. Kryetari Xhaferi, e nënvizoi suksesin e takimeve të Procesit Brdo – Brioni, si edhe për atë se vendet pjesëmarrëse para së gjithash duhet të bashkëpunojnë, të bashkohen në mënyrë rajonale dhe të ndërtojnë besim të ndërsjellë si hap kah integrimi i tërësishëm evropian.
Dy bashkëbiseduesit vlerësuan se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve janë në nivel të lartë dhe se ka hapësirë të intensifikohet dhe të thellohet bashkëpunimi ekonomik. (koha.mk)