Delegacioni shtetëror-kishtar, i cili merr pjesë në kremtimin për nder të Shën Cirilit në Romë, pati audiencë tek kryetari i Kishës Katolike të Romës, Papa Françeskun.
Delegacioni shtetëror udhëhiqet nga Kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi, dhe kryepeshkopi i kishës së Ohrit dhe Maqedonisë, z.z. Stefan.
“Paqja, toleranca dhe bashkëpunimi midis vendeve dhe popujve janë rruga më e mirë për të ardhmen. Për bashkëpunimin në rajon biseduam edhe me sekretarin shtetëror të Vatikanit i cili konfirmoi se Selia e Shenjtë gjithmonë na ka përkrahur dhe do të vazhdojë që të na përkrahë në proceset eurointegruese të vendit tonë. Në këtë mënyrë krijohen kushte edhe të kontribuojmë në proceset eurointegruese dhe bashkëjetesën e popujve në botë “, deklaroi Xhaferi pas audiencës tek Papa Françesku.
Xhaferi theksoi se Republika e Maqedonisë së Veriut dhe qytetarët e saj gjithmonë kanë qenë dhe janë pjesë e civilizimit evropian.
“Vepra dhe trashëgimia e vëllezërve të shenjtë Kirili dhe Metodi, ose po e Nënës Terezë ose e Skënderbeut, nuk i takojnë vetëm një shteti ose një populli, por janë përfitim botëror dhe simbol i qëndrueshmërisë dhe humanizmit. Ato janë universale sipas përmbajtjes së vet, ato janë pjesë e civilizimit evropian dhe botëror, ndërsa ne jemi të obliguar që ato vlera ti kultivojmë dhe mbindërtojmë”, theksoi Xhaferi në takimin me Papa Françeskun
Para anëtarëve të delegacionit të vendit tonë, Papa Frençesku publikisht shprehu falënderime për pritjen dhe bujarinë që ndeju gjatë vizitës së tij në Shkup.
Papa Françesku tha se është sidomos i prekur nga prirja e të rinjve në vendin tonë të cilët, edhe pse me përkatësi të ndryshme fetare dhe etnike, ndërtojnë bashkëjetesë.
“Besoj në unitetin e të rinjve, dhe këtë e ndjeva në vendin tuaj. Populli juaj është porta për krishterimin në Evropë, që është me rëndësi të jashtëzakonshme”, porositi Papa Françesku.
Nënkryeministri për Çështje Ekonomike Koço Angjushev, i cili është pjesë e delegacionit shtetëror, tha se për vetëm një muaj kanë pasur takim të drejtpërdrejtë me Papa Françeskun, që sipas tij, në mënyrë simbolike e tregon përkushtueshmërinë e Vatikanit për proceset tona.
“E shfrytëzoj mundësinë që të shpreh falënderime për atë që Papa Françesku e bëri për vendin tonë. Me përkushtimin e tij i dha vizibilitet vendit tonë të vogël dhe përkrahjes së proceseve që po ndodhin tek ne. Janë të gatshëm që të ndihmojnë eurointegrimet tona dhe unë këtë e respektoj në mënyrë të veçantë”, tha Angjushev pas vizitës në Selinë e Shenjtë.(koha.mk)