Shkup, 26 shkurt – Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi sot u takua me ish-presidentin e Kroacisë, Stipe Mesiq i cili mori pjesë në shënimin e 15-vjetorit të vdekjes tragjike të ish-presidentit Boris Trajkovski, raporton gazeta KOHA.
Shërbimi i Kuvendit për shtyp informoi se Mesiq e ka lavdëruar hapin që e ka ndërmarrë shteti me nënshkrimin e Marrëveshjes së Prespës me të cilën u mundësua zhbllokimi i proceseve integruese euroatlantike, përkatësisht u hap rruga drejt anëtarësimit të plotë në NATO, që sipas parashikimeve më optimiste, mund të ndodhë nga fundi i qershorit të këtij viti, si dhe rruga drejt marrjes së datës për hapje të negociatave inkuadruese me BE-në.
Xhaferi e informoi bashkëbiseduesin se në rrjedhë është ratifikimi i Protokollit për inkuadrim në NATO në parlamentet nacionale dhe se deri më tani atë e kanë bërë Sllovenia, Shqipëria, Bullgaria, ndërsa nga fundi i kësaj jave pritet ta bëjnë edhe Mali i Zi dhe Kroacia.
Dy bashkëbiseduesit e potencuan rëndësinë e përforcimit të bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar mes vendeve të rajonit.(koha.mk)