Gostivar, 5 maj – Me zgjedhjen e presidentit do ta rrumbullaksojmë procesin e integrimeve euroatlantike, deklaroi kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, i cili sot në mëngjes, në vendin e lindjes Forinë, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, votoi në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.
Xhaferi pret që procesi zgjedhor të kalojë qetë, njëjtë si në rrethin e parë, sepse, siç theksoi, nuk ka arsye të mos jetë ashtu. Mendon edhe se do të ketë census.
“Në fund të ditës pres të realizohet censusi nga jehona e qytetarëve në vendvotimet dhe të zgjidhet presidenti i ri. Në këtë mënyrë do të sigurohet edhe funksionalizimi i këtij institucioni shtetëror dhe vijimi normal i shtetit në kontekst të integrimeve euroatlantike. Me këtë do të rrumbullaksohej edhe ky proces”, deklaroi Xhaferi.
Nëse censusui nuk realizohet, Xhaferi e theksoi rolin e tij si kryetar i Kuvendit dhe sipas detyrës, tha, do të shpall zgjedhje të reja për përsëritjen e procedurës për zgjedhjen e shefit të shtetit.
“Në këtë rast do të duhet të bëhen kalkulime, sepse termini eventual për zgjedhje të reja do të bie në kohën e pushimeve vjetore, që negativisht do të ndikojë ndaj jehonës. Nëse tani nuk arrihet census, kjo do të jetë vështirë në korrik ose gusht”, nënvizoi Xhaferi.