“Parlamenti punon në përputhje me Rregulloren dhe jo mbi bazë të diktatit, e më së paku jo sipas pretendimeve të caktuara individuale qofshin ato të një Ministri, cilido qoftë ai”, është përgjigjur Xhaferi pas deklaratës së ministres Deskoska se, nëse arrihet marrëveshja për Prokurorinë Speciale, urgjentisht Ligji të futet në procedurë parlamentare për miratim
Shkup, 29 mars – Kryeparlamentari Talat Xhaferi duket të jetë i prerë se Ligji për prokurorinë publike, ku parashihet edhe fati i Prokurorisë Speciale, do të futet në rend dite në Parlament pas zgjedhjeve presidenciale. Madje, një ditë pas brifingut me gazetarë, Xhaferi edhe të premten ka përsëritur se Parlamenti punon mbi bazë të Rregullores dhe jo kërkesave të ndonjë individi, qoftë edhe ministër, shkruan gazeta KOHA.
“Parlamenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut punon në përputhje me Rregulloren dhe jo mbi bazë të diktatit, e më së paku jo sipas pretendimeve të caktuara individuale qofshin ato të një Ministri, cilido qoftë ai”, është përgjigjur kryeparlamentari pas deklaratës së ministres së Drejtësisë, Renata Deskoska se nëse arrihet marrëveshja për Prokurorinë Speciale, urgjentisht Ligji të futet në procedurë parlamentare për miratim.
“Unë nuk e di se si janë mendimet e kryeparlamentarit Xhaferi, por mund të them se ajo që vjen nga Qeveria dhe nëse arrihet marrëveshje për Ligjin e prokurorisë, kjo duhet sa më shpejtë të shndërrohet në Ligj konkret dhe të nis procedura parlamentare, sepse kjo është edhe kushti për nisjen e bisedimeve me Komisionin Evropian”, tha ministrja Deskoska. Kryeparlamentari Xhaferi ndërkohë informoi se nuk do të thirr mbledhje të Parlamentit në kohën e fushatës parazgjedhore, pasi siç tha ai, nuk dëshiron të keqpërdoren për fushatë. “Para 6 majit, nuk do të ketë seanca parlamentare”, tha shkurt Xhaferi, transmeton koha.mk.
Në ndërkohë, shumica parlamentare nuk i ka siguruar akoma dy të tretat e votave për të miratuar Ligjin për prokurorinë publike, ligj ky që parasheh vazhdimin e punës si prokurori të veçantë të ekipit të Katica Janevës. Në kohën kur VMRO-DPMNE ka dorëzuar tashmë mbi 60 amendamente për Ligjin në fjalë, kryeministri Zoran Zaev tashmë ka marrë mbështetjen e opozitës shqiptare – Aleancës për Shqiptarët dhe Lëvizjes BESA. Pa 5 votat e ASH-së dhe BESËS, shumica nuk i ka 80 vota nëse nuk arrihet marrëveshje LSDM-VMRO. VMRO vazhdon të këmbëngulë në përbërje krejtësisht të re të Prokurorisë Speciale, si dhe të hetohet e gjithë puna dhe financat të shpenzuara që nga formimi i këtij institucioni në vjeshtën e vitit 2015. (koha.mk)