Shkup, 10 shtator – Nga rezultati i takimit në mes kryeministrit dhe liderit të LSDM-së, Zoran Zaev dhe liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, varet se kur do të mbahen vazhdimet e seancave parlamentare për Ligjin e Prokurorisë Publike, si dhe seanca për shkarkimin e prokurores speciale Katica Janeva nga detyra, e cila detyrimisht duhet të shkarkohet më së voni deri më 15 shtator, informon KOHA.
Nëse ka marrëveshje, seanca parlamentare mund të caktohet që nesër, thotë kreu i Parlamentit, Talat Xhaferi, i cili thekson se patjetër të respektohet afati deri më 15 shtator për shkarkimin e prokurores Katica Janeva.
“Në ora 20 do të mbahet takim liderësh mes kryeministrit dhe kreut të opozitës këtu në Parlament. Mendoj se duhet tu jepet mundësi liderëve që të arrijnë një marrëveshje përfundimtare të pranuar për të gjitha palët dhe në këtë kontekst do të jetë edhe rezultati në raport me obligimet e Parlamentit lidhur me Ligjin për Prokurorinë Publike. Të presim epilogun e bisedimeve dhe nga nesër e andej nuk është aspak kontestuese që në çdo moment të mbahet seanca për shkarkimin e Janevës”, deklaroi Talat Xhaferi, kryetar i Parlamentit, transmeton KOHA.