Xhaferi: Mësimi për holokaustin është kuptim më i mirë i pasojave të paragjykimeve

28

Shkup, 28 tetor – Mësimi për holokaustin nuk është vetëm mbajtje e rëndomtë përmendsh e fakteve, mësimi për holokaustin është kuptim më i mirë i pasojave të paragjykimeve, jotolerancës racore, antisemitizmit dhe stereotipave në çdo shoqëri, porositi kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi në Forumin kundër Antisemitizmit që po mbahet në Tiranë, Republika e Shqipërisë.

Në korniza të përkushtimeve për integrimet në BE, Xhaferi theksoi se, vendi investon shumë në zhvillimin e arsimit për holokaustin, duke i sqaruar dukuritë devijuese dhe diskriminuese edhe në kontekstin aktual, a me qëllim të luftës kundër çfarëdo lloji të urrejtjes dhe jotolerancës.

“Në mars të vitit 2018, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut e miratoi Deklaratën me rastin e 75-vjetorit të deportimit të hebrenjve nga Maqedonia me çka në fakt e miratoi përkufizimin e punës”, deklaroi Xhaferi.

“Republika e Maqedonisë së Veriut i inkurajon të gjitha aktivitetet në lidhje edhe me edukimin rreth holokaustit, dhe në këto suaza, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në kuadër të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve, hapi Sektorin për edukimin dhe hulumtimin e holokaustit, ku zhvillohet mësim gjithëpërfshirës mbi holokaustin, për mundësinë e shfrytëzimit dhe keqpërdorimit të fuqisë, si edhe për rolin dhe përgjegjësinë e individëve, organizatave dhe kombeve në rastet e shkeljes së të drejtave njerëzore. Kjo njëherazi kontribuon edhe në ngritjen e vetëdijes në drejtim të mundësive për shfaqjen e gjenocidit në botën bashkëkohore”, deklaroi Xhaferi.

Sektori i Edukimit dhe Hulumtimit të Holokaustit, theksoi Xhaferi, është në fakt i pari i këtij lloji në shtet dhe në rajon, që për ne paraqet krenari dhe kënaqësi.

Edhe një specifikë e Kuvendit tonë, tregoi Xhaferi, është ajo se në përbërjen prej 120 deputetëve, kemi deputete nga bashkësia hebraike, Rashella Mizrahi e cila mund të kontribuojë shumë në promovimin e çështjes së luftës kundër antisemitizmit.

Në Forumin Ballkanik kundër anti-semitizmit, marrin pjesë më shumë kryeparlamentar të vendeve të rajonit, si të të Evropës dhe të botës.