Tetovë, 10 shtator – Bashkimi Demokratik për Integrim sot në Tetovë ka nisur fushatën “pro” referendumin që do të mbahet më 30 shtator në Maqedoni..
Në fjalimin e tij, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi ka
deklaruar se arsyeja e fushatës është që të ketë qytetarë të mirëinformuar, pasi që sipas tij “koston e mosinformimit do ta pësojnë qytetarët”.
Talat Xhaferi në tubimin e sotëm përmendi se arsyeja e fushatës është mirëinformimi i qytetarëve me qëllim që më 30 shtator, secili qytetar të marrë vendimin e vet në mënyrën mirë të informuar.
“Jemi të vetëdijshëm se shumica e qytetarëve i dinë përfitimet e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe BE, kjo është dëshmuar edhe me hulumtimet e bëra më parë. Por jemi poashtu të vetëdijshëm, se ka qytetarë që nuk e mbështesin anëtarësimin e vendit në këto institucione. Pikërisht kjo është përgjegjësia dhe obligimi ynë, që si përfaqësues të institucioneve shtetërore, por para se gjithash si të përzgjedhur nga populli, të sigurojmë që më 30 shtator, secili qytetar të marrë vendimin e vetë në mënyrën mirë të informuar”, tha Xhaferi
Sipas tij qarkimi “pro” në referendum nënkupton hapje të vendeve të reja të punës, rritjen e investimeve të huaja, zgjerim të tregut të punës dhe formim të shtetit të së drejtës.
“Anëtarësimi nënkupton shumë më tepër investime të huaja, hapje të shumë vendeve të punës, zgjerim të tregut të punës dhe hapësirë më të madhe për shitjen e produkteve të prodhuesve, zgjerim të horizonteve arsimore. Njëkohësisht nënkupton edhe atë që është më se e nevojshme, reforma në gjyqësi sundim të së drejtës me qytetarë të barabartë dhe të kënaqur” tha Xhaferi në tubimin e sotëm të BDI-së në Tetovë.