Tiranë, 19 dhjetor – Ligji për gjuhën shqipe pritet të jetë testi i parë për premtimet e kryeministrit të Maqedonisë, Zaev. Ai mund të jetë edhe deri në fund të këtij viti, por brenda janarit pritet të miratohet ligji për gjuhën shqipe, ka deklaruar kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi në programin “Top Story” në Top Channel.
Xhaferi ka folur edhe për ngjarjet e 27 prillit në Kuvend kur, siç tha, u rrezikuan jetët e deputetëve.
“Hetimet do tregojnë se çfarë ndodhi atë ditë. Jeta e të gjithë deputetëve shqiptarë ishte në rrezik. Hyrja e qytetarëve mund të rrezikonte sigurinë në të gjithë Maqedoninë”, thekson Talat Xhaferi, duke vënë në dukje se ai incident mund të provokonte një luftë etnike.
I pyetur se sa ka pasur dorë Tirana në njëhësimin e platformës shqiptare në Maqedoni, e cila nuk u pa mirë, Xhaferi sqaroi se teksti ka qenë i hartuar në programet e partive shqiptare ndërsa VMRO-DPMNE e interpretoi ndryshe, me ç’rast i filloi edhe protestat kundër platformës.
“Teksti ishte hartuar në programet e partive shqiptare. Ishte e qartë se asnjë prej partive shqiptare nuk bënte shumicën pa pjesëmarrjen e shqiptarëve. Për këtë arsye ajo që nuk u kuptua para zgjedhjeve të mund të bashkërendonim pikat e përbashkëta. Dihet se kush ishin pikat e tyre të përbashkëta. Jo të gjithë subjektet kishin besim tek njëra-tjetra, kjo është edhe arsyeja se Tirana sugjeroj për pikat e përbashkëta. Kjo u interpretua nga VMRO-DPMNE që të ngrinte edhe protesta për ndalimin e platformës”, sqaron Xhaferi.
Lidhur me përplasjet e fundit në Kuvendin shqiptar, të ngjashme me ato të 27 prillit të këtij viti në Shkup, kryeparlamentari i Maqedonisë,Talat Xhaferi vuri në dukje se shqiptarët në Maqedoni, por edhe ata që jetojnë në shtete të tjera nuk i mirëpresin dhe nuk i duan këto situata.
“Reagimi i shqiptarëve në Maqedoni për këtë rast, është se ata nuk pranojnë një mënyrë të këtillë veprimi. Pritshmëritë e tyre janë që institucionet të jenë funksionalë”, u shpreh ai në “Top Story”.
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë intervistën për Top-Channel e ka dhënë në kuadër të vizitës treditore në Republikën e Shqipërisë
Xhaferi shoqërohet nga një delegacion i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, në përbërje të së cilit janë deputetët Ejup Alimi, Beti Rabaxhievska – Naumovska dhe Rexhep Memedi.
Është paraparë që nesër kryetari i Kuvendit, të realizojë takime me kryetarin e Parlamentit shqiptar, Gramoz Ruçi, zëvendëskryetaren e Qeverisë Senida Mesi, presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta dhe liderin e opozitës, Lulzim Basha.
Në ditën e fundit të vizitës së tij, është paraparë që Xhaferi ta vizitojë edhe Liqenasin, ku do të realizojë takim me minoritetin maqedonas.