Shkup, 15 janar – Kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi, të martën në një konferencë për media ka deklaruar nuk përjashtohet mundësia që zgjedhjet presidenciale të mbahen më 31 prill, ndërsa raundi i dytë për të njëjtat me 5 maj, njofton Koha.
“Më 12 maj skadon mandati i Presidentit dhe në bazë të këtyre mandateve zgjedhjet duhet të shpallen jo më gjatë se 90 ditë dhe jo më shkurtë se 70 ditë. Në koordinim edhe me subjektet tjera politike, sugjerimi është që raundi i parë të mbahet me 21 prill dhe raundi i dytë me 5 maj, me vetë faktin që Presidenti i ri të inaugurohet më 12 maj, pas çka kreu i shtetit të mund të jep edhe betimin solemn para Kuvendit dhe zyrtarisht të hyjë në fuqi mandati i Presidentit të ri”, ka deklaruar, duke shtuar se më së voni deri më 8 shkurt do të shpallen zgjedhjet presidenciale.
Duke u përgjigjur në akuzat e presidentit të shtetit, Gjogje Ivanov se me shpalljen në “Gazetën Zyrtare” të Ligjit për gjuhët dhe Ligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës është bërë shkelje kushtetuese, Xhaferi tha se pikërisht është presidenti ai që ka shkelë Kushtetutën me mos dekretimin e dy ligjeve.
“Çdo herë kam theksuar se sipas procedurave Kushtetutën nuk e respekton presidenti i shtetit dhe keqpërdorimet vijnë nga kjo palë. Sipas nenit 8 të Kushtetutës presidenti është pjesë e pushtetit ekzekutiv dhe ai nuk ka të drejtë të ndërhyjë në punën e pushtetit ligjvënës”, theksoi Xhaferi. (Koha.mk)