Kryetari Kuvendit të Republikës së Maqedonisë Talat Xhaferi sonte e nënshkroi vendimin për shpalljen e zgjedhjeve të gjashta presidenciale të cilat do të mbahen më 21 prill, si dhe vendimet për zgjedhjet e parakohshme për zgjedhjen e kryetarëve të komunave Ohër, Novo Sellë dhe Dibër. Ato do të dorëzohen deri te Komisioni Shtetëror Zgjedhor.
Pas nënshkrimit Xhaferi deklaroi se secilat zgjedhje të reja janë mundësi për mbindërtimin e vlerësimit të fituar pozitiv nga zgjedhjet paraprake. Pret zgjedhje të cilat, siç tha, i ngjajnë shtetit demokratik evropian për shkak të realizimit të aspiratave strategjike euroatlantike të shtetit dhe për të mirën e qytetarëve. Apeloi deri te të gjithë pjesëmarrësit në procesin zgjedhor që të sillen në bazë të Kushtetutës dhe normave ligjore, ndërsa institucionet kompetente të bëjnë gjithçka që dita e zgjedhjeve të kalojë në atmosferë të qetë, demokratike dhe solemne.
“Rruga për integrimin në NATO dhe BE është trasuar. Ulësja e 30-të në NATO tani më është e jona, tani na mbetet punë e përgjegjshme dhe e përkushtuar për përmbushjen e kritereve të domosdoshme për marrjen e datës për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian. Në periudhën që vjen, Republika e Maqedonisë do e japë testin e kapacitetit dhe pjekurisë. Zgjedhjet korrekte dhe demokratike janë një nga kushtet sipas të cilëve do na vlerësojnë dhe notojnë. Prandaj, apeloj te të gjithë pjesëmarrësit në garën zgjedhore presidenciale në vijim, partitë politike dhe te Ju, qytetarë, të bëjmë përpjekje maksimale që Republika e Maqedonisë të ketë përsëri zgjedhje siç i ngjajnë një shteti evropian, demokratik, për realizimin e aspiratave strategjike euroatlantike dhe për të mirën e qytetarëve”, deklaroi Xhaferi.
Është i bindur, se të gjithë të përfshirët në procesin zgjedhor do ta japin kontributin e tyre që të kalojnë në atmosferë të qetë dhe demokratike.
“Qytetarët janë i vetmi autoritet legjitim i cili ka të drejtë që të vendosë se kush do ta fitojë nderin dhe përgjegjësinë që të jetë presidenti i gjashtë i Republikës së Maqedonisë”, theksoi Xhaferi.(koha.mk)