Nis edhe zyrtarisht fushata për zgjedhjet për kryetarë komunash dhe asambleistë komunalë që organizohen më 22 tetor, në 38 komuna të Kosovës. Në këto zgjedhje votohet drejtpërdrejt për kryetarë komunash dhe asamblesitë për kuvendet komunale. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tashmë ka certifikuar subjektet politike garuese që do të marrin pjesë në këto zgjedhje. Janë gjithsej 91 subjekte politike, prej tyre një koalicion, 35 parti politike, 30 nisma qytetare dhe 25 kandidatë të pavarur. Në ndërkohë, asambleisti më i ri i kandiduar në një komunë është Xhafer Zigijah Rudaj, kandidat i partisë “Nisma për Kosovën” në Komunën e Klinës. i Lindur në fshatin Gremnik, më 13 tetor 1993, Xhafer Rudaj është renditur i shtati në listën e asambleistëve, ndërsa vijon studimet në Fakultetin e Biznesit “Haxhi Zeka” në Pejë.
Të shumta janë arsyet që e kanë shtyrë Xhaferin të garojë në listën e Nismës për Kosvën, ndërkaq thotë se gjendja e mjerueshme e Klinës dhe fshatrave rreth saj, e kanë shtyrë që në këtë moshë të re, të matet me kandidatët e partive tjera. “Përfaqësimi i dobët i rinisë në vendimmarrjen politike lokale, perspektiva, shëndetësia, siguria, infrastruktura, arsimi… tash e sa vite janë në nivel të ulët. Mirëpo, pa u menduar dhe hezituar shumë jam futur në garë për të qenë zë i fuqishëm i çdo qytetari të Klinës. Duke pasur parasysh se rinia është e tashmja dhe e ardhmja e vendit, vendosa të jem aty duke ngritur zërin për problemet me të cilat përballemi tash e sa vite. Njëkohësisht jam i bindur se ndryshimi po vjen, ndryshimin do ta bëjmë, mirëpo na duhet besimi i qytetarëve të Klinës”, thotë Xhaferi, i cili shton se “koha për gjeneratën e re tashmë është në duart e vet të rinjve”. Ndryshe, zgjedhjet mbahen në 38 komuna të Kosovës, përfshirë edhe veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe. Organizatat e shoqërisë civile që monitorojnë proceset gjyqësore, thonë se subjektet politike kanë bërë përpjekje që të kandidojnë kandidatë të përgatitur mirë, ndërsa, fokusin kryesor e kanë në shtatë qendrat e mëdha të Kosovës, tek Prishtina, Mitrovica, Peja Gjakova, Gjilani, Ferizaj, Prizreni.