Lideri i VMRO-DPMNE-së dhe deputet, Nikolla Gruevski kërkesën për heqje të imunitetit e ka adresuar në komisionin për mandate dhe emërime, ndërkohë që kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi tha se nuk ka informacione të tilla se një kërkesë e Gruevskit është dorëzuar tek komisioni.
“Nëse një kërkesë e tillë vërtetë është dorëzuar në komision atëherë procedura është e gabuar, kërkesa dorëzohet tek kryetari i kuvendit, i cili më pas e dorëzon tek deputetët që do të thotë se më pas edhe komisioni përkatës diskuton për të, kështu është procedura, deri në këtë moment nuk kam pranuar ndonjë kërkesë të tillë nga deputeti Nikolla Gruevski”, ka deklaruar Xhaferi. Kërkesa vjen pas akuzave që Prokurora Speciale Publike i ka drejtuar Gruevskit, si i dyshuar në katër rastet Titanik, TNT, Tenka dhe Traektori.