Shkup, 16 tetor – Një delegacion i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Unionin Interparlamentar (UIP), sot realizoi takim me delegacionin e Australisë në këtë organizatë, të udhëhequr nga Lusi Uiks, deputete në Dhomën Përfaqësuese të Parlamentit të Australisë.
Në takimin në suaza të të Asamblesë së 141-të të UIP, që po mbahet në Beograd, është theksuar nevoja e avancimit të mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe midis të dyja shteteve, si në nivel parlamentar, ashtu edhe në të gjitha fushat me interes të përbashkët.
Kryetari i Kuvendit Xhaferi, i cili e udhëheq delegacioni kuvdendor, ka shprehur mirënjohje që Australia është mbështetës tradicional i përcaktimeve strategjike të Maqedonisë së Veriut për integrimin euroatlantik. Ai nënvizoi se të dy vendet janë aleatë në luftën kundër terrorizmit në suaza botërore dhe marrin pjesë në misionin ISAF në Afganistan. Kryetari i Kuvendit theksoi se Republika e Maqedonisë së Veriut është e interesuar për intensifikimin e dialogut politik me Australinë, me realizimin e vizitave në nivelin e lartë dhe shumë të lartë, si edhe për avancimin e bashkëpunimit ekonomik.
“Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut është institucion demokratik i hapur, transparent, llogaridhënës dhe funksional, në të cilin zhvillohet dialog politik aktiv dhe intensiv ndërmjet deputetëve të pushtetit dhe të opozitës. Njëkohësisht, Xhaferi informoi për ngjarjet aktuale që kanë të bëjnë me integrimin euroatlantik, për reformat e zbatuara dhe për vendimet e rënda por të domosdoshme që i mori vendi, që i mënjanuan pengesat në rrugën e anëtarësimit në BE dhe NATO”, bëri të ditur pres shërbimi kuvendor.
Anëtarët e Parlamentit australian drejtuan urime për anëtarësimin tani më të sigurt të Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO dhe shprehën pritjet për vendim pozitiv të liderëve të BE-së në lidhje me përcaktimin e datës për fillimin e negociatave aderuese me Unionin. Njëkohësisht, deputetët australian inkurajuan të vazhdohet me reformat në rrugën drejt BE-së. Është theksuar bashkëpunimi i mirë ndërmjet dy vendeve në fushën e mbrojtjes dhe policisë, me ç’rast ishte sugjeruar se Australia e çmon lartë kontributin e vendit në NATO dhe pjesëmarrjen në misionin ISAF.
“Bashkëbiseduesit u pajtuan se bashkëpunimi bilateral ndërmjet dy vendeve nuk përkon me potencialin e madh, sidomos në kontekst të diasporës së madhe nga Republika e Maqedonisë së Veriut në Australi. Ato potencuan se mërgimtarët e shumtë, si edhe qindrat studentë nga vendi të cilët studiojnë në Australi, duhet të paraqesin urë për avancimin e marrëdhënieve bilaterale dhe për thellimin e bashkëpunimit të përgjithshëm. U vlerësua se shënimi i 25-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve vitin e ardhshëm, do të paraqesë mundësi të jashtëzakonshme që përmes aktiviteteve dhe manifestimeve të ndryshme të kontribuohet në pasurimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Australisë”, bëri të ditur pres shërbimi për informim i Kuvendit. (koha.mk)