Shkup, 24 prill – Paqja dhe stabiliteti, pa dyshim se nënkuptojnë bashkëpunim ndërmjet shteteve në fushën e sigurisë, përfshirë edhe në suazat e NATO-s. Republika e Maqedonisë, që nga pavarësimi i vet, e përcaktoi anëtarësimin e plotfuqishëm në NATO si qëllimin e vet strategjik dhe për këtë ka mbështetje të lartë prej qytetarëve, tha kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi në fjalimin në Konferencën e kryetarëve të Parlamenteve të vendeve të Bashkimit Evropian në Talin, Estoni në sesionin kushtuar Mbrojtjes evropiane dhe sigurisë.
Edhe pse në mënyrë formale-juridike akoma nuk jemi anëtare e NATO-s, do ju rikujtoj se nëpërmjet pjesëtarëve të forcave tona të sigurisë japim kontribut në operacionet paqësore në kuadër të mundësive tona reale, ndonjëherë edhe përtej tyre.
“Marrim pjesëmarrje aktive në sigurinë e kontinentit tonë. Do ju tregoj vetëm një shembull më të freskët. Në kufirin me Greqinë fqinje, pjesëtarë të forcave policore të Sllovenisë, të Sllovakisë dhe Çekisë, bashkë me forcat policore të Maqedonisë e kontrollojnë këtë pjesë të Rutës ballkanik”, tha kryetari i Kuvendit të Maqedonisë.
Sfidat e sigurisë, shtoi ai, kanë ndikim negativ mbi qëndrueshmërinë e parimeve dhe vlerave evropiane. Paragjykimet, stereotipat, jotoleranca, gjuha e urrejtjes, janë gjithnjë e më shumë të pranishme.
“Prandaj, mendoj se, ashtu siç organizohemi dhe punojmë në sfidat e sigurisë, po ashtu duhet tu kushtojmë vëmendje edhe këtyre dukurive negative të cilat, tani për tani janë efemere dhe akoma pjesa më e madhe e opinionit nuk i pranon”, theksoi Xhaferi.
Gjatë fjalimit të tij, ai vlerlësoi se viteve të fundit, gjendja e sigurisë në Evropë dhe përreth saj paraqet sfidë tejet serioze, si për Bashkimin Evropian, ashtu edhe për çdo shtet veçmas, përfshirë edhe shtetet aspiruese. Sipas Xhaferit, për fat të keq, konfliktet ushtarake që janë relativisht afër Evropës, a sidomos afër nesh që jetojmë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, paraqesin sfidë të përditshme, si për organet tona të sigurisë, ashtu edhe për strukturat tjera shtetërore. Terrorizmi, krimi i organizuar, kriza refugjate, janë vetëm një pjesë e sfidave të përditshme të sigurisë me të cilat ballafaqohemi si shtete.
“Të gjitha këto dukuri dhe gjendje ndikojnë mbi opinionin publik të qytetarëve, paqja dhe siguria e të cilëve është rrezikuar dhe, prioritet ynë kulmor si përfaqësues i tyre i drejtpërdrejtë është të sigurojmë paqe dhe stabilitet, për arsye se vetëm rajone në të cilat nuk ka konflikte mund të prosperojnë dhe të jenë atraktive. Gjithsesi, është obligimi ynë të ndërtojmë shoqëri të shëndosha, shoqëri në të cilat gjeneratat e ardhshme nuk do të jenë të ushqyera me paragjykime, jotolerancë dhe stereotipa ndaj tjetrit, ndaj atij ndryshe, por e kundërta, do të jenë gjenerata me vlera evropiane të ngulitura dhe standarde për të cilat kanë folur edhe baballarët e Evropës së Bashkuar”, tha Xhaferi.
Në kuadër të Konferencës, kryetari Xhaferi këmbeu mendime me kryetaren e Asamblesë Nacionale të Bullgarisë, Cveta Karajançeva, dhe me kryetarin e Parlamentit ë Kroacisë, Gordan Jandrokoviq.
Në fokusin e bisedave ishte ardhmëria e Bashkimit Evropian, me ç’rast kryetarët e parlamenteve të vendeve të Bashkimit Evropian u pajtuan se zgjerimi i Unionit me vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të mbesë politikë e rëndësishme publike e BE-së.