Shkup, 27 shkurt – Kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi dje e ka njoftuar gjykatësin në procedurë paraprake, Sedat Rexhepagiq se nuk janë krijuar kushte për marrjen e imunitetit të deputetit, Trajko Veljanovskit nga VMRO-DPMNE-ja, të dyshuar se është një nga organizatorët e hyrjes në Parlament më 27 prill të vitit 2017, konfirmuan për MIA-n nga Gjykata penale, transmeton Koha.
Komisioni parlamentar për çështje të rregullores dhe të mandatit dhe imunitetit nuk mori vendim për kërkesën e Gjykatës penale për miratimin e paraburgimit të deputetit dhe ish kryetarit të Parlamentit Trajko Veljanovski për shkak të dyshimit për involvim në ngjarjet e 27 prillit. Për marrjen e mandatit votuan katër anëtarë të Komisioinit, e po aq ishin kundër.
Edhe të zgjedhurit e popullit në seancë plenare, që u mbajt të dielën, nuk votuan për marrjen e imunitetit të Veljanovskit. Seanca e tensionuar e Kuvendit filloi diçka pas orës 21, e pas pothuaj dy orëve, në mesnatë, është ndërprerë nga kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi.
Kryeparlamentari në konferencë për shtyp, duke iu përgjigjur pyetjeve lidhur ndërperjen e seancës, ku debatohej për marrjen e imunitetit të deputetit Veljanovski, mes tjerash tha se seanca është ndërprerë për shkak se ka kaluar koha për marrjen e vendimeve deri në ora 24:00, si dhe për shkak të sjelljes së deputetëve, posaçërisht të deputetit të mazhorancës, Muhamed Zekiri.
Kryetari i Gjykatës penale Ivan Xholev të hënën, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve nëse Gjykata ka të drejtë sërish të kërkojë nga Kuvendi që t’i merret imuniteti i deputetit Trajko Veljanovskit, tha se këtë ligji nuk e trajton deri në fund.
“Sa e di unë, në praktikë kërkesa të përsëritura nuk kemi dërguar. Por do të ulemi të gjithë gjykatësit së bashku, do ta lexojmë dhe do të shohim se cilat janë hapat që do t’i ndërmarrim”, tha Xholev.
Nën dyshim për involvim në organizim të dhunës nga “e enjta e përgjakur”, javën e kaluar në Gjykatën penale janë ftuar ish kryetari i Kuvendit, Trajko Veljanovski, e pas tij edhe ish ministri i Transportit Mile Janakieski, si dhe ish ministri i Punës në Qeverinë e VMRO-DPMNE-së, Spiro Ristovski.
Veljanovski iu referua imunitetit të deputetit, ndërsa në paraburgim gjenden Janakieski dhe Ristovski. (koha.mk)