Kryeparlamentari, Talat Xhaferi sot priti në vizitë zyrtare Ambasadorin e Republikës së Kosovës, Ylber Hysa, ku u bisedua për situatën aktuale politike në Maqedoni dhe në Kosovë dhe për nevojën e bashkëpunimit në mes dy vendeve. Merret vesh se Ambasadori Hysa ia uroi postin e ri kryeparlamentarit, Xhaferi dhe rikonfirmoi se Republika e Kosovës do të vazhdojë edhe më tej t’i jep mbështetje institucionale Republikës së Maqedonisë. Kryeparlamentari, Xhaferi falënderoi Ambasadorin, Hysa për vizitën e tij, me ç’rast shprehu kënaqësi dhe gatishmëri për të thelluar edhe më tej bashkëpunimin e ndërsjellë në mes dy vendeve. Të dy bashkëbiseduesit theksuan se raportet miqësore ndërmjet dy vendeve fqinje kanë ndikim pozitiv dhe janë faktorë të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe stabilitetin e rajonit.