Shkup, 25 tetor – Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi, sot u takua me zëvendëskryetarin e Qeverisë dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, i cili qëndron për vizitë zyrtare njëditore në Republikën e Maqedonisë. Xhaferi theksoi se Republika e Maqedonisë dhe Republika e Kosovës, me shembullin e tyre për bashkëpunim kontribuojnë në drejtim të ngritjes së marrëdhënieve të mira fqinjësore në rajon në nivelin më të lartë të mundshëm dhe se vizitat e këtilla janë vërtetim pikërisht i atyre angazhimeve. Ai gjithashtu foli për kornizën juridike të marrëveshjeve ndërmjet dy shteteve dhe theksoi se e njëjta duhet së shpejti të zgjerohet me nënshkrimin e më shumë marrëveshjeve bilaterale për lehtësimin e marrëdhënieve të përgjithshme. Xhaferi, në emër të Kuvendit, shprehu gatishmëri të tërësishme për ndarjen e përvojave në proceset eurointegrative me kolegët e Parlamentit kosovar, duke e marrë parasysh se Maqedonia ka përvojë më të madhe në këtë sferë. Gjithashtu, ai shprehu bindje se edhe në Parlamentin kosovar së shpejti do të formohet Grupi i deputetëve për miqësi për bashkëpunim me grupin përkatës i cili veç më është formuar në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë. Përveç kësaj, kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë e informoi ministrin Pacolli për gjendjen politike aktuale në vend dhe për ngjarjet që vijonin pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në dhjetor të vitit 2016. Pacolli, duke u rikthyer angazhimit të tij personal në periudhën e shkurtër derisa e ka ushtruar detyrën e Presidentit të Republikës së Kosovës, që kufijtë ndërmjet dy vendeve të kalohen vetëm me letërnjoftim, shprehu kënaqësi të veçantë që ai angazhim i tij tani më është realitet. Ai, duke ia uruar zgjedhjen në funksionin e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, shprehu bindjen se Xhaferi, në mënyrë dinjitoze dhe me shkathtësi do e përmbushë këtë detyrë të përgjegjshme ndërsa ndikimin e tij dhe rolin e tij shumëdimensional, i vlerësoi si shumë të rëndësishëm, jo vetëm për vendin por edhe për rajonin. Mysafiri i lartë nga Kosova, e theksoi nevojën e deputetëve të Kuvendit të Kosovës për ekspertizë të cilën do e kishin fituar prej kolegëve të tyre në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë dhe shprehu dëshirë që bashkëpunimi ndërparlamentar të zhvillohet në bazë të rregullt. Bashkëbiseduesit bashkërisht e vërtetuan përcaktimin për bashkëpunim ekonomik më intensiv dhe rëndësinë e ndërlidhjes së përbashkët infrastrukturore.