Shkup, 9 prill – Në kuadër të Konferencës së kryetarëve të Parlamenteve të vendeve anëtare të BE-së dhe të vendeve kandidate për anëtarësim, që mbahet në Vjenë, kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi realizoi takim bilateral me Andrej Danko, spiker i Këshillit Nacional të Republikës së Sllovakisë, njofton Koha.
Gjatë takimit, Xhaferi shprehu mirënjohje për mbështetjen bilaterale të hapur dhe të vazhdueshme, veçanërisht për ratifikimin e Protokollit për anëtarësim të plotfuqishëm të Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO, gjë për të cilën javën e kaluar votoi shumicë tejet e madhe në Radën Popullore të Sllovakisë.
Siç kumtoi sot pres shërbimi kuvendor, ai informoi se hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Prespës e tregon përcaktimin e qartë të Republikës së Maqedonisë së Veriut për avancimin e pajtimit rajonal dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore, ndërsa e theksoi edhe përkushtimin në përmbushjen e detyrave nga agjenda reformuese dhe arritjen e përparimit të dukshëm në rrugën evropiane.
Kryetari i Këshillit Nacional të Republikës së Sllovakisë e përshëndeti arritjen e marrëveshjes me Greqinë si hap të guximshëm, strategjik dhe si sinjal të qartë për bashkësinë ndërkombëtare se vendi është i gatshëm të ballafaqohet me sfida.
Sa i takon zgjerimit të Bashkimit Evropian, qëndron në kumtesë, spikeri Danko shprehu mbështetje për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe potencoi se procesi duhet të vazhdojë edhe përskaj problemeve të brendshme të Unionit, siç është Bregziti.
Kryetari i Kuvendit, Xhaferi kërkoi përkrahje nga kolegu i tij në drejtim të marrjes së datës për fillimin e negociatave për Republikën e Maqedonisë së Veriut në qershor të këtij viti, si impuls i fuqishëm për vazhdim në kursin reformues.
Të dy bashkëbiseduesit e vlerësuan si të suksesshëm edhe bashkëpunimin në raport me krizën e emigrantëve, ndërsa me qëllim të zhvillimit të bashkëpunimit bilateral, Xhaferi i dërgoi ftesë kolegut Danko që në periudhën e ardhshme ta vizitojë Republikën e Maqedonisë së Veriut. (koha.mk)