Shkup, 4 maj – Republika e Maqedonisë, qysh në vetë fillimin e pavarësimit të vet, qartë dhe pa mëdyshje e nënvizoi rrugën e vetë dhe i përcaktoi prioritetet e veta strategjike. Një prej tyre është anëtarësimi i plotfuqishëm në Bashkimin Evropian dhe për këtë, kemi mbështetje të padyshimtë nga të gjithë qytetarët.
Këtë sot e theksoi kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë Talat Xhaferi në shënimin e Ditës së Evropës – 9 Maji, në organizim të Institutit për Studime Politike dhe Ndërkombëtare dhe Komunës së Çairit.
Xhaferi, siç kumtoi pres shërbimi kuvendor, ka theksuar se ardhmëria e vendit tonë është në familjen evropiane, me vlera të ndërtuara evropiane, atje ku edhe takojmë sipas civilizimit.
“Marrja e Raportit më të ri pozitiv dhe të pakushtëzuar për përparimin e Republikës së Maqedonisë nga Komisioni Evropian, jo vetëm që është vërtetim dhe njohje e përpjekjeve tona të deritanishme por është obligim edhe më i madh për dyfishimin e angazhimeve tona, për arsye se vetëm atëherë, rezultatet nuk do të mungojnë. Plani 3-6-9 i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë është plan për të gjithë ne, plan për të cilin punojmë, bashkëpunojmë dhe kontribuojmë të gjithë së bashku, edhe Kuvendi, edhe Qeveria, edhe sektori joqeveritar, ndërsa me miratimin e ligjeve të fundit reformuese, mund të them pa hezitim se edhe opozita e jep kontributin e vet për këtë agjendë reformuese”, porositi Xhaferi.
Ai ka theksuar ndihmën e madhe dhe altruiste të miqve tanë ndërkombëtarë, të cilët janë gjithmonë aty të na këshillojnë, të na sugjerojnë, por kuptohet edhe të na kritikojnë me qëllim të mirë atëherë kur nuk jemi në vijë të njëjtë me prioritetet tona.
Xhaferi u ka uruar të gjithë studentëve të cilët kanë marrë pjesë edhe atyre që fituan në garën për shkrimin e esesë për Bashkimin Evropian.
Në shënimin e Ditës së Evropës kanë marrë pjesë edhe zëvendëskryeministri Bujar Osmani dhe kryetari i Komunës së Çairit Visar Ganiu.