“Në Dibër ka patur afër 20 këpucëtarë dhe pothuajse të gjithë kanë mbijetuar duke u marrë edhe me aktivitete të tjera, sidomos me bujqësi. Interesimi për këpucëtarët ka qenë në nivel, meqë atë kohë dhe deri para dy dekadave, vet kemi prodhuar këpucë, papuçe, çanta të ndryshme dhe prodhime të tjera të lëkurës. Industrializimi në këtë sferë bëri që nga viti në vit të ulet numri i këpucëtarëve dhe sot në Dibër ka vetëm dy këpucëtari”, tregon 88-vjeçari Ilmi Krifca
Vjollca SADIKU
Dibër, 4 gusht – Qyteti i Dibrës para disa dekadave ka patur zejtari të pasur. Në këtë qytet, i cili përmendet si një ndër qendrat më të vjetra urbane në Ballkan, kanë qenë aktive pothuajse të gjitha zejet. Dibra ka qenë e njohur për samarxhinjtë, këpucëtarë, kujinxhinjtë, jorganxhinjtë, rrobaqepësit, kazanxhinjtë, qeleshexhinjtë dhe shumë zeje të tjera. Vet fakti se Dibra quhet edhe Dibra e Madhe, por shpeshherë është quajtur edhe “Sheher” i rajonit më të gjerë, ka patur një lëvizje të madhe të popullatës. Sot, në Dibër mungojnë shumë zeje dhe kanë ngelur vetëm disa, dhe ata nga dita në ditë janë drejt shuarjes. Ashtu ndodh edhe me këpucëtarët.
Aktualisht, në Dibër aktiv janë dy dyqane këpucëtarësh. Këpucëtari më i vjetër është Ilmi Krifca i lindur në vitin 1932 dhe pa probleme realizon aktivitete e përditshme në këpucëtarinë e tij. Vizitojmë dyqanin e tij, ku sipas dibranëve, gjithmonë ka qenë vend i muhabeteve dibrane, dhe ka qenë i vizituar nga persona të njohur dibran. “Këtë zanat e kam filluar ta punoj qysh në vitin 1939. Bëhet fjalë për zanat familjar, të cilin e ushtronte edhe babai që në vitin 1927 si dhe xhaxhai im”, tregon Ilmiu dhe shton se gjithmonë këtë profesion e ka punuar me dëshirë dhe kënaqësi. Zanatet në Dibër kanë lulëzuar dhe ka patur zejtarë të të gjithë llojeve.
Dibra, tashmë një qytet i vogël me pak banorë, dikur ka pasur më shumë se 30 mijë qytetarë. “Pas gjenocidit serb të vitit 1913, Dibra mbeti me rreth 4.500 banorë”, tregon Krifca dhe shton se gradualisht, qyteti filloi të shtohet si në aspektin e popullatës, ashtu edhe në aspektin e zejeve. “Në Dibër ka patur afër 20 këpucëtarë dhe pothuajse të gjithë kanë mbijetuar duke u marrë edhe me aktivitete të tjera, sidomos me bujqësi. Interesimi për këpucëtarët ka qenë në nivel, meqë atë kohë dhe deri para dy dekadave, vet kemi prodhuar këpucë, papuçe, çanta të ndryshme dhe prodhime të tjera të lëkurës. Industrializimi në këtë sferë bëri që nga viti në vit të ulet numri i këpucëtarëve dhe sot në Dibër ka vetëm dy këpucëtari”, na thotë 88-vjeçari Ilmi Krifca. Përveç këpucëtarisë së krifcës, funksionon edhe këpucëtaria e familjes Mela.
Duke sqaruar kushtet në të cilën sot jetojnë këpucëtarët, Ilmiu na rrëfen se ka kaluar koha kur pikërisht në dyqanin e tij janë prodhuar këpucë, papuçe e tjerë. “Sot merremi vetëm me riparime të këpucëve, atleteve dhe papuçeve. Fabrikat kanë bë të vetën dhe tani nuk na ngelë asgjë tjetër që të bëjmë përveç të bëjmë riparime”, thotë Ilmiu, ndërsa shpreh keqardhje që ky zanat po shkon drejt shuarjes. Duhet të theksojmë, na thotë xha Ilmiu, se nuk ka leverdi, por dhe interes tek të rinjtë që të merren me këtë zanat. “Prandaj të rinjtë as që duan të dëgjojnë që të punojnë si këpucëtar. Kanë kaluar kohët kur viteve të 60 deri 90 kur Dibra ishte për plot me banor. Kur bëheshin dasmat, kishte shumë porosi jo vetëm tek këpucëtarët, por edhe tek zejtarët tjerë. Punonin si sitën, ashtu edhe natën që ti realizojmë kërkesat e shumta”, thotë Ilmiu.
Xha Ilmiu, i cili është një i moshuar që njeh shumë bukur historinë e Dibrës, flet edhe për situata në të cilën ka kaluar qyteti i tij. “Ka patur shumë ndryshime të sistemeve, ndryshime të jetës që ka ndikuar drejtpërdrejt në jetën të përditshme të dibranëve. Pikërisht këto lëvizje të shumta gjithmonë kanë ndikuar në mërgimin e të rinjve dibran. Shuarja e zejeve do të vazhdojë, meqë bëhet fjalë për industrializim të fuqishëm të prodhimeve në përgjithësi, por edhe migrimin e dorës së punës”. I moshuari dibran, i cili edhe pse është në moshë të tretë, për çdo dit në kohë e hap dyqanin e tij dhe këtu e kalon ditën. Normalisht tani këtë profesion e ushtron më shumë si dëshirë e jo si nevojë, ndërsa na foli edhe për muhabetet që janë bë në dyqanin e tij në të kaluarën.
Ai kujton edhe atë me shumë emocione takimet që ka bërë në dyqanin e tij me shumë intelektual dibran, të cilët gjatë dekadave të kaluara i dhanë shumë Dibrës si në aspektin e kulturës, ekonomisë, ashtu edhe politikës. Edhe sot xha Ilmiu vizitohet përsëri nga elita dibrane dhe shpeshherë kjo elitë kërkon këshillat e Ilmiut, i cili gjithmonë ka ditur bukur ti sqaroj situatat, por edhe përcaktimet e rrugëve të dibranëve. (koha.mk)