Xavi tregon nëse Depay do të vazhdoj të mbetet te Barcelona

Memphis Depay u transferua me shumë bujë te Barcelona në verën e vitit 2021 si lojtar i lirë pasi i skadoi kontrata me Lyonin.

Por ka qenë një vit i parë jo aq i mirë për holandezin që vuajti edhe nga lëndimet e shumta. Pas largimit të trajnerit Ronald Koeman, e ardhmja e holandezit në Camp Nou është ende e paqartë.

28-vjeçari nuk është një titullar fiks te katalunasit nën urdhrat e Xavi Hernandez dhe nuk përjashtohet mundësia që ai të largohet këtë verë, pasi kontrata me Barçën i skadon në verën e vitit 2023.

Advertisements

Ka qenë trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez që ka folur për sulmuesin duke e vlerësuar shumë, por që ka thënë se ende nuk kanë biseduar sa i përket të ardhmes.

“Memphis është një lider. Ai mund të shënojë gola dhe të luajë shumë mirë. Duhet ta vlerësojmë”, tha fillimisht Xavi.

“Do të shohim se çfarë mund ose nuk mund të bëjmë sezonin e ardhshëm. Ai është një lojtar i rëndësishëm. Ai bën diferencën, është lider, i gjithanshëm, punon mirë, ka një synim dhe duhet ta vlerësosh shumë”, u shpreh tekniku katalunas.

Depay këtë edicion me Barcelonën ka shënuar 13 gola e ka asistuar në dy të tjerë në 36 ndeshje zyrtare.