Ish-kapiteni i Barcelonës, Xavi Hernández, trajneri aktual i Al Sadd, është një nga emrat që të gjithë e kanë në mendje, kur bëhet fjalë për të ardhmen e stolit të Barçës. Sidoqoftë, në një intervistë me “El País”, i pyetur nëse është koha të kthehet, ai tha:
“Unë nuk mendoj se është momenti tani, jo. Në janar u thashë se nuk ishte koha, ndërsa tani nuk më kanë kontaktuar. Si katalanas i uroj Barcelonës më të mirën. Unë e respektoj shumë Quique Setién. Si trajner ka një manual lojërash shumë të ngjashëm me atë që i duhet Barçës, që është “Cruyffismo”. Pastaj, tjetër gjë janë rezultatet”, pohon Xavi.
Megjithatë, Xavi e ka ëndërr rikthimin në “Camp Nou”: “Jam i lumtur që vazhdoj të fitoj përvojë, duke sfiduar veten. Natyrisht, do të ishte privilegj për mua të stërvitja Barçën një ditë, duke pasur bashkëpunëtorë Jordi Cruyff, Carles Puyol dhe disa lojtarë aktualë. Do të dëshiroja të krijoja një ekip me njerëz të vlefshëm, që e njohin shtëpinë, njerëz të cilëve iu besoj dhe që më përkasin mua”, deklaroi Xavi.