Mundem qartë të them se në këtë moment ecim në një rrugë mjaft pozitive, thotë zëdhënësi i Qeverisë greke Dimitris Xanakopulos dhe shton se negociatat për emrin vazhdojnë me ritëm intensiv. Në brifingun e sotëm me gazetarët, Xanakopulos tha se projekt marrëveshjen e shqyrton MPJ-ja greke, ndërsa së shpejti është planifikuar vizitë e shefit të diplomacisë Nikos Koxias në Shkup. Megjithatë, ai nuk zbuloi datë konkrete, duke thënë se këtë do ta kumtojë MPJ-ja greke. Siç njoftoi korrespodenti i MIA-s nga Athina, zëdhënësi i Qeverisë greke, edhe njëherë i konfirmoi qëndrimet e Greqisë në negociatat për emrin.
“Qëndrimi i qeverisë greke është emër i përbërë, erga omnes, për përdorim të përgjithshëm. Çka do të thotë kjo? Se duhet rishikim kushtetues që të mund të arrijmë deri në zgjidhje të qëndrueshme të pranuar nga të dy palët. Rishikimi kushtetues ka të bëjë me emrin, por me siguri edhe me qëndrimet irredentiste që janë të përfshira në Kushtetutën e fqinjit. Por, këto janë çështje që do të zgjidhen gjatë negociatave, negociata të cilat është e qartë se do të përfundojnë me një Marrëveshje ndërkombëtare, sepse flasim për marrëveshje mes dy vendeve të pavarura”, tha zëdhënësi i Qeverisë greke.
Xanakopulos, në brifingun e sotëm, dërgoi kritika të ashpra deri te lideri i Demokracisë së Re opozitare, Kirijakos Micotakis, mes të tjerash edhe për qëndrimet për çështjen e emrit. Vlerëson se qëndrimet e shprehura gjatë fjalimit të djeshëm në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington janë të ndryshme dhe kontradiktore me ato që Micotakis i ka në Greqi. “Micotakis dje sërish deklaroi se çështjet me identitetin dhe irredentizmin janë më të rëndësishme nga çështja e emrit, ndërsa nuk e përsëriti qëndrimin e tij për të gjetur zgjidhje në kushte të tjera, duke pranuar se qeveria e sotme tek fqinji është pozitive për kompromis”, tha Xanakopulos.
Shtoi se Micotakis në Greqi paraqitet “si bisht i së djathtës radikale, duke hedhur poshtë çdo lloj bisede për çështjen e ermit, ndërsa megjithatë në SHBA turpërohet për qëndrimet e turpshme të cilat i shpreh në vend”. Njëherit, zëdhënësi qeveritar nga kryetari i Demokracisë së Re kërkoi përgjigje për pyetjet, lidhur edhe me bisedat për emrin.
“Vallë mbështet zgjidhje me emër të përbërë që do ta përfshijë termin Maqedoni? Po ose Jo? Vallë zotëri Micotakis vlerëson se rrethanat janë adekuate për zgjidhje të pranueshme nga të dy palët apo vlerëson se çështja duhet të transferohet në kohë tjetër të pacaktuar? Dhe në fund, vallë Qeveria ka vepruar drejt që zgjodhi ta përshpejtojë procesin e negociatave për të gjetur zgjidhje në këtë moment?, e pyet Xanakopulosin, Micotakis.
Lideri i partisë opozitare greke, siç publikoi MIA, foli për politikën e jashtme greke dhe çështjen e emrit në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington. Lidhur me negociatat për emrin sqaroi se Qeveria e Maqedonisë është e hapur për kompromis, ndërsa i përsëriti edhe qëndrimet e Demokracisë së Re për “pako të zgjidhjeve që do të përfshijnë ndryshimet kushtetuese dhe zgjidhjen e çështjeve për identitetin dhe irredentizmin”.
“Këto çështje ndonjëherë janë më të rëndësishme se sa çështja me emrin”, theksoi Micotakis.