Athina, 14 janar – Vlerësimi im është se Qeveria do të marrë besimin dhe do të mund të vazhdojë të udhëheqë vendin, tha zëdhënësi i Qeverisë dhe ministri pa portofol Dimitris Xanakopulos, në një intervistë për televizionin grek Alfa.
Duke folur për vendimin e kryeministrit grek Alekis Cipras të kërkojë besim nga Parlamentar, tha se është “nismë me simbolikë të lartë politike, por edhe rrezik të madh politik” dhe i vendos deputetët dhe forcat politike përpara përgjegjësisë historike.
Xanakopulosi sqaroi se votimi i besimit të Qeverisë nuk duhet të ndërlidhet me ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës, sepse janë dy votime krejtësisht të ndryshme, ndërsa njëri nuk e përcakton tjetrin, por shtoi se për të dy proceset ka shumicë në Parlamentin aktual, njofton korrespondentja e MIA-s nga Athina, transmeton Koha.
“Mendimi im bazohet në atë që është bërë deri tani dhe në deklaratat e forcave politike, veçanërisht në lidhje me Marrëveshjen e Prespës, se është siguruar shumicë absolute në Parlament”,tha Xanakopulos dhe shpjegoi se arsyeja pse kryeministri kërkon besim është të shmanget pasiguria në Qeveri pas tërheqjes së Panos Kamenosit.
Zëdhënës i Qeverisë greke dhe ministër pa portofol e kritikoi liderin e Demokracisë së Re Kiriakos Micotakis se nuk ka pasur guxim të iniciojë mosbesimi të Qeverisë, “sepse thellë në vete nuk dëshiron që Qeveria aktuale të largohet para se të mbyllen një sërë çështjesh mes të cilave kryesore është Marrëveshja e Prespës “.
Lidhur me artikujt nëpër mediat greke se ekziston marrëveshje e Qeverisë me deputetë të caktuar të cilët nuk janë anëtarë të SYRIZA-s të votojnë për besimin, ndërsa në këmbim të marrin ose pozicion ministror ose vend në listat e votimit të SYRIZA-s, Xanakopulos thotë se nuk ka gjë të tillë, komentoi se bëhet fjalë për çmenduri, sepse “deputetët do të votojnë sipas ndërgjegjes së tyre”.
Për kërkesën e djeshme të Panos Kamenosit të mbahet referendum edhe në Greqi për Marrëveshjen e Prespës, zëdhënësi i Qeverisë vlerëson se “referendumet për çështje që kanë të bëjnë me emra të vendeve tjera, tingëllojnë mjaft paradoksale”.