Athinë, 6 shkurt – Në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare, rajoni gjeografik Maqedonia nuk i përket vetëm Greqisë, thotë zëdhënësi i Qeverisë greke në intervistë për televizionin ERT.
Duke e komentuar protestën dhe sloganet e para dy ditëve në sheshin Sintagma se Maqedonia është greke, Dimitros Xanakopulos thotë se Maqedonia si rajon gjeografik u përket shteteve të ndryshme, njofton korrespondenti i MIA-s nga Athina.
“Shumë mirë e dini se në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare, rajoni gjeografik i Maqedonisë nuk i përket vetëm Greqisë. Pesëdhjetë e një për qind nga Maqedonia i përket Greqisë, rreth 30 për qind Bullgarisë, pjesa tjetër i përket IRJM-së dhe një për qind Shqipërisë. Për këtë arsye, nëse kalojmë në esencën e bisedës, shohim se rajoni gjeografik i Maqedonisë për momentin i përket kombeve-shteteve të ndryshme dhe këtë rajon nuk mund ta marrë parasysh politika e jashtme greke”, tha Xanakopulos, në pyetjen se nëse sloganet “Maqedonia është greke” ndikojnë ndaj negociatave.
Lidhur me identitetin maqedonas, zëdhënësi i qeverisë greke thotë se të gjithë popujt kanë identitet dhe “asnjë popull nuk mund të privojë një popull tjetër nga identiteti i tij”. Me insistim të gazetarit se nëse bëhet fjalë për maqedonas, Xanakopulos shpjegon se në vendin fqinj ekzistojnë grupe të ndryshme etnike.
“Ata konsiderojnë se identiteti i tyre kombëtar është ai që është. Por, gjithashtu, t’ju përkujtoj se në IRJM ekzistojnë edhe grupe tërësisht të ndryshme etnike, ekzistojnë shqiptarë, ekzistojnë njerëz të cilët vetëpërcaktohen si sllavomaqedonas, ekzistojnë edhe grekë, ekzistojnë, nëse nuk gaboj edhe bullgarë”, shpjegoi Dimitris Xanakopulos për ERT, transmeton MIA.
Zëdhënësi i qeverisë greke, edhe një herë përsëriti se Athina kërkon emër të përbërë erga omnes edhe për përdorim të brendshëm dhe të jashtëm, diçka që “nëse interpretohet, çon deri te konkluzioni se nuk mund të ekzistojë marrëveshje, pa ndryshim të emrit kushtetues, ndërsa që të ketë ndryshim të emrit kushtetues nevojitet revizion kushtetues”.
Xanakopulos shpjegoi se ekzistojnë dy arsye kryesore se pse Greqia konsideron se duhet të zgjidhet problemi. E para është se nuk ka arsye që në një rajon tanimë të destabilizuar siç është Ballkani, Athina të kontribuojë për destabilizim plotësues, ndërsa madje arsyeja e dytë është fakti që Maqedoninë tanimë e kanë njohur mbi 100 vende me emrin kushtetues dhe rreziku që në të ardhmen këtë emër ta pranojnë edhe KB-ja.
Lidhur me mundësinë për shpallje të referendumit për emrin në Greqi, zëdhënësi i qeverisë greke, e hodhi poshtë idenë duke thënë se nuk ekziston arsye ose argument për diçka të atillë.
“Fakti që ne do të njohim një shtet tjetër me emër të përbërë, nuk e di çka do të vendosej në referendum”, shpjegon Xanakopulos.
Zëdhënësi i qeverisë greke, zbuloi se në samitin e ardhshëm të NATO-s në korrik, Greqinë do ta përfaqësojë kryeministri Aleksis Cipras.