Gal Gadot, ylli izraelit i Hollywood-it, e njohur për rolin e Wonder Woman, e ka mbrojtur një moderator televiziv i cili u sulmua nga kryeministri Benjamin Netanyahu pasi deklaroi se”Izraeli nuk është vetëm i hebrenjve”, njofton Klan Kosova.
Aktorja e famshme mori qëndrim publik kur Netanyahu e kritikoi moderatorin izraelit Rotem Sela për shkak se shprehu solidaritet me araboizraelitët dhe tha se “Izraeli është shtet i të gjithë qytetarëve të tij”.
Netanyahu reagoi ndaj komenteve të Selës: “Izraeli nuk është shtet i të gjithë qytetarëve të tij. Në bazë të Ligjit për Shtetin Kombëtar të cilin e kemi miratuar, Izraeli është shtet-komb i popullit hebre, dhe vetëm i tij”.
“Duaje fqinjin tënd!”, shkroi Gadot në hebraisht, në llogarinë e saj në Instagram, të cilën e ndjekin 28.3 milionë njerëz.
“Kjo s’është çështje e të Majtës apo të Djathtës. Hebre, apo arab, sekular apo fetar. Është çështje e dialogut, të dialogut për paqe, barazi dhe tolerancë mes njëri-tjetrit”.