Wolff: Të përfitojmë nga çdo situatë

11

Tri garat e para sezonale të botërorit 2021 të Formula 1 kanë treguar se për titullin kampion do të duelojnë mes tyre mes Mercedes dhe Red Bull. Deri më tani, Mercedes udhëheq 2-1 sfidën me Red Bull, por këto shifrat do të ndryshojnë sërish deri në fund të sezonit.

Sipas Toto Wolff, drejtorit sportiv të Mercedes, çdo garë do të ketë një histori më vete, pasi çdo gjë do të varet nga pista dhe se sa i përshtatet ajo makinave. Këtë fundjavë do të garohet në Barcelonë, një pistë që mund të sjellë të tjera surpriza.

“Kjo është një pistë impenjative, ku gomat janë çelësi i fitores. Deri më tani, gomat nuk kanë qenë arma jonë më e fortë, ndaj do të vuajmë shumë. Mendoj se çdo pistë do të ketë avantazhet dhe problematikat e saj për secilën makinë, që në fund do të bëjnë diferencën”, tha Wolff.

“Do të ketë pista që na favorizojnë më shumë ne dhe pista që favorizojnë më shumë rivalët tanë. Pra, hierarika do të ndryshojë nga pista në pistë, çka na detyron të jemi në maksimum kudo dhe të përfitojmë nga çdo situatë që mund të krijohet në garë”, tha Wolff.