Pesë milionë euro të parapara nga Qeveria si subvencion për tre vitet ardhshme e presin kompaninë që do të nënshkruajë marrëveshje për vendosjen e gjashtë destinacioneve të reja, dy nga aeroporti i Shkupit dhe katër nga aeroporti i Ohrit
Zejnulla VESELI
Shkup, 17 tetor – Ministria e Transportit dhe Lidhjeve sërish e anuloi shpalljen publike për subvencionim financiar të kompanive ajrore. Në këtë shpallje sërish ofertë kishte dorëzuar vetëm kompania ajrore Wizz Air, e cila aktualisht edhe pse i ka skaduar marrëveshje që në korrik të këtij, vazhdon të bartë udhëtarë nga aeroporti i Shkupit dhe Ohrit dhe anasjelltas drejt destinacioneve të ndryshme të vendeve të BE-së dhe botës.
Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Goran Sugareski në një konferencën për media, informoi se deri në afatin përfundimtar është dorëzuar ofertë vetëm nga Wizz Air, por ajo nuk përshtatet me kushtet dhe kriteret në tender.
“Kompania ajrore Wizz Air, ka dorëzuar ofertë në të cilën të katër destinacionet nga aeroporti ‘Shën Apostol Pavle’ në Ohër, planifikon t’i vendos në gusht të vitit 2019 që është në kundërshtim me një prej kritereve kryesore në tender. Në shpalljen publike qartë qëndron se kompania ajrore e ka për obligim deri më 10 janar të vitit 2019 të vendos dy linja nga aeroporti në Ohër edhe dy në afat prej një viti nga nënshkrimi i marrëveshjes. Kompania ajrore Wizz Air ka ofruar të gjitha katër destinacionet t’i vendos në gusht të vitit 2019. Për shkak kësaj, komisioni ka konstatuar se kushtet nga shpallja publike nuk janë plotësuar dhe ka dhënë rekomandim kjo shpallje të anulohet”, tha Sugarevski, i cili njoftoi se kompanitë tjera nuk kanë dorëzuar oferta.
”Është e vërtet se në bisedimet që ka pasuar Qeveria me kompanitë tjera ajrore, është shprehur gatishmëri të ofrohet ofertë si në shpalljen e parë dhe te dytën, por në realitet kjo nuk ndodhi. Se cilën janë arsyet për mos interesim të kompanive tjera ajrore, i dinë vetëm ata dhe se Qeveria aspak nuk ka ndërmend të merret me politikat afariste që kanë këto kompani”, tha Sugarevski.
Ai gjithashtu informoi se 5 milion euro të parapara nga Qeveria si subvencion për tre vitet ardhshme presin kompaninë që do të nënshkruan marrëveshje për vendosjen edhe gjashtë destinacioneve te reja, 2 nga aeroporti i Shkupit dhe katër nga aeroporti i Ohrit.
“Qeveria mbetet konsekuente në masën për mbështetje financiare për kompanitë ajrore të cilat do të ofrojnë destinacione të reja për qytetarët e Maqedonisë dhe se mjetet për subvencionim tashmë janë paraparë në buxhetet. Së shpejti do të publikojmë edhe shpalljen e tretë po më të njëjtat kushte si në shpalljen e parë dhe të dytën”, tha Sugarevski. Në pyetjen se pse pas skadimit të marrëveshjes, Wizz Air vazhdon të bartë udhëtare në realizacione të ndryshme dhe për këtë a ka marre leje nga Qeveria, sepse ka të publikuar në ueb faqen e tyre fluturimet deri në fund të vitit 2019, ministri Sugarevski mohoi të ketë marrëveshje të re me këtë kompani, ndërsa për fluturimet nuk merr subvencione nga shteti..
“Wizz Air-it nuk i është vazhduar marrëveshja, as që ka marrë leje prej Qeverisë. Si kompani ajrore ajo ka të drejtë të organizojë fluturime, mirëpo për këto fluturime nuk do të merr subvencione nga shteti”, tha ai. Ndërkaq sa i përket se 5 milionë euro nëse janë të mjaftueshme që Maqedonia të formojë kompaninë e vetë nacionale, Sugarevski u shpreh se ende po bëhen analiza nëse formimi i kompanisë shtetërore ajrore është e leverdishme, ndërsa përmendi se 5 milionë që shteti i jep si subvencione për kompanitë e huaja, janë të mjaftueshme. (koha.mk)