Kur përmendet emri i tij suksesi nuk diskutohet. Ka punuar me shumë këngëtarë dhe vazhdon të punojë me një intensitet të jashtëzakonshëm por edhe nga studio e tij kanë dalë shumë yje. Nexhat Mujovi – Wirusi, ndonëse shumë pak prononcohet për media në lidhje me punën e tij, megjithatë për InfraRed të gazetës KOHA tregon hapat e parë në muzikë, si ka nisur dhe si po rrjedh puna e tij në industrinë muzikore
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Ju jeni një artist dhe një kompozitor shumë i njohur në trojet shqiptare, si lindi pasioni juaj për muzikën?
Si fëmijë shumë i vogël, dashuria ime e parë ishte ndaj LP-ve (pllakat e gramofonit) që i konsideroj si lodrat e mia të para fëmijërore. Tërë kohën merresha me dëgjim të muzikës që servohej asokohe. Që atëherë muzika ishte kënaqësia më e madhe për mua edhe pse nuk do t’i anashkaloja edhe instrumentet muzikore që mundohesha t’i ndërtoja vet, me atë imagjinatë që kisha. Me ardhjen e parë të fis harmonikës në duart e mia (që ma solli babai nga Gjermania) unë ndjeva dashuri të madhe për muzikën ku edhe sot e kësaj dite po vazhdon edhe pse tash e kam profesion e jo vetëm pasion.
KOHA: Në familjen tuaj, ndonjë pjesëtar tjetër i familjes kishte raporte me muzikën?
Ne si familje e donim dhe e duam muzikën por nuk kishte asnjë përveç meje që merrej me muzikë, edhe pse në rrethin ku jetoja ishte një dhëndër që punonte në arsim dhe në atë kohë ishte me patjetër ta njohësh një instrument dhe ai shpesh lozte me mandolinë, e mua ma zgjonte kureshtjen për atë instrument e unë mundohesha ta mësoj duke e shikuar lëvizjen e gishtave të tij, gjatë interpretimit.
KOHA: Ndërsa tash në familje merret dikush me muzikë, planifikon ndonjë nga fëmijët t’u të bëhen këngëtarë?
KOHA: Unë jam prind i dy fëmijëve i Edit dhe Ardit. Të dytë merren me muzikë dhe janë nxënës në shkollën e muzikës, me shpresë se do ta trashëgojnë dashurinë time ndaj muzikës, si pasion dhe profesion.
KOHA: Ç’do të thotë për një baba muzikant, të dallojë që fëmija e tij që në vogëli, ndan ashtu si ai vetë, prirje të ngjashme për muzikën?
Vlerësimet prindërore nuk janë reale. Prindi çdo herë flet ndryshe para tjerëve dhe ndryshe e ndjen çdo lëvizje të fëmijëve, edhe pse falë zotit kanë vesh për muzikë dhe besoj se do t’ia kalojnë prindërve me sukses më të madh , duke u bazuar në kushtet ideale që i kanë, në krahasim me kohën tonë. Por sot, në këtë botë virtuale, fëmijët më pak merren me detyra që u përcaktohen, e më shumë me internet, por duhet ta dinë se pa ushtrime, instrumenti mbetet vetëm dëshirë. Deri te caku arrihet me punë dhe vetëm punë.
KOHA: Ndërmjet ushtrimit të një instrumenti dhe kompozimit, cili është ndryshimi emocional midis tyre?
Te unë, kompozimi e përshkruan gjendjen shpirtërore momentale apo të asaj kohe kur kam kompozuar. Por asgjë nuk do mund të kompozoja, pa mijëra orë ushtrime në pianon time. Kështu, është më se natyrale që këto dy të jenë të lidhura emocionalisht. Saktësi, seriozitet dhe frymëzim.
KOHA: Në ç’pozicion do t’i vendosnit këto koncepte në lidhje me muzikën tuaj dhe me mënyrën tuaj të të punuarit?
Të trijat janë pjesë të pa ndashme të punës time, por pjesa kryesore është dashuria. Pa dashuri nuk ka jetë, ajo eshtë frymëzimi kryesorë në krijimet e mia. Kështu, unë e paraqes emocionin tim nëpërmjet notave muzikore.
KOHA: Në kohën e sotme, cilat janë gjendja dhe niveli i formimit muzikor? Në çfarë mase, sistemi shkollor shqiptar nxit të mësuarit e muzikës?
Nuk do të doja në këtë intervistë të merrem me kritika. Thjeshtë, janë kohëra të ndryshme dhe çdo vlerësim do të ishte relativ. Mundohem t’i akceptoj ashtu siç janë.
KOHA: Sa mundësi punësimi ka sot tek ne për të rinjtë e sapodiplomuar, veçanërisht në fushën artistike e muzikore?
Gjërat kanë evoluar dhe mundësia është shumë më e madhe për çdo profesion, vetëm nëse je korrekt ndaj asaj që e quajmë “diplomë”.
KOHA: Trashëgimia muzikore shqiptare dhe zhvillimi i shoqërisë shqiptare. Cili është ritmi me të cilin ecin paralelisht këto dy fenomene?
Zhvillimi i shoqërisë, më së miri matet me zhvillimin kulturorë, bashkë me të edhe muzikën. Tek ne, bazuar në trashëgiminë kolosale muzikore që kemi, gjithmonë mund të bëhet më shumë. Mjafton që në top listat botërore i kemi gjithmonë minimum tre emra shqiptarë.
KOHA: Cili është kompozitori apo artisti – shqiptar ose i huaj – që adhuroni në mënyrë të veçantë?
Janë shumë që më frymëzojnë dhe ma trazojnë emocionin muzikorë. Sa për informatë, si fëmijë jam rritur me muzikë të mirë si psh: Deep purple, Whitesnake, Pink floyd, Toto e deri tek Chick corea e Mozarti.
KOHA: Kur perceptoni që muzika nuk është e ndjekur për pasion, por për qëllime të tjera, cili është reagimi juaj dhe ç’këshillë do t’u jepnit të rinjve të sotëm, atyre që kanë ndërmend të nisin rrugën e artit, atë të muzikës në veçanti?
Nuk mund të ndodhë asnjë punë nëse nuk dhuron dashuri. Unë personalisht e dua muzikën edhe pse jetoj nga muzika, por nuk do të thotë se e krijoj për shkaqe materiale.
KOHA: Përveç muzikës, cilave pasione të tjerë u jepni prioritet në jetën tuaj?
Familja, shoqëria janë pasioni im. Unë pa njerëz nuk marr dot frymë. I dua njerëzit…mënyrat e tyre si flasin, si mendojnë, si veprojnë…ata thjeshtë janë inspirimi im. Në momente të caktuara më inspiron gjendja sociale ku ndjej shpesh atë Rockun brenda personit, që i mllefosur bashkëbisedon me mua… ose ajo dashuri e fëmijës kur të puth dhe thotë: “babi ti je më i miri në botë”.. është emocion që kërkon një shpërthim dhe unë mundohem ta shpreh në muzikë…ose ndjenja e nostalgjisë që shpesh herë e manifestoj nëpërmjet baladave që i krijoj, ku e ndjej çdo tingull dhe çdo herë them: “Më fal” o jetë.
KOHA: Cilat janë projektet e juaja të ardhshme profesionale?
Janë pafund…Jam shumë kërkues nga natyra, e më së shumti nga vetja. Mundohem t’i përmirësoj gabimet dhe kësaj radhe do mundohem ta planifikoj një turne në gjithë shqiptarinë me Elita 5, me shpresë se do ta arrijë.
KOHA: A ka ndodhur ndonjëherë që të bësh gati komplet projektin muzikorë dhe këngëtarë të ju refuzojë?
Këtë e marr si pjesë të punës. Ndodhin gjëra të tilla dhe është shumë normale se shijet janë relative. Por sigurisht se kemi gjetur mirëkuptim për herë të dytë.