Pasditen e së martës janë luajtur në Londër takimet e fundit të raundit të parë të grand slam të Wimbledon.
Te femrat, surprizat nuk përfundojnë. Tenistja ruse Maria Sharapova është tërhequr nga turneu, teksa po humbiste duelin ndaj francezes Pauline Parmentier. Rusja fitoi 6-4 setin e parë dhe udhëhiqte 5-2 setin e dytë, por duket se një dëmtim përmbysi aventurën e Sharapovës. Ajo u mund 6-7 në “tie break” në setin e dytë dhe më pas u tërhoq në shifrat 0-5 të setit të tretë, duke u eliminuar që në raundin e parë.
Nuk zhgënjen tenistja amerikane Serena Williams, që mundi 2-0 (6-2, 7-54) italianen Giulia Monticone. Një ndeshje relativisht e mirë e “panterës së zezë”, në ndeshjen e saj të parë në fushat me bar këtë vit. Fiton me lehtësi 2-0 (6-4, 6-2) edhe tenistja çeke Petra Kvitova, e cila eliminoi tunizianen Ons Jabeur, duke avancuar në raundin e dytë. Në raundin e dytë avancojnë edhe britanikja Johanna Konta, spanjollja Carla Suarez Navarro dhe gjermania Julia Goerges.
Te meshkujt, spikat fitorja e tenistit spanjoll Rafael Nadal, numri 2 në botë. Ai mundi 3-0 (6-3, 6-1, 6-3) japonezin Yuichi Sugita. Surpriza e këtij raundi të parë për meshkuj është eliminimi i gjigandit çek Tomas Berdych. Ai u mund 3-0 nga amerikani Taylor Fritz. Eliminohet edhe një nga talentet e këtij sporti, kanadezi Denis Shapovalov, që u mund 3-0 nga lituanezi Ricardas Berankis.