Pilotët Lance Stroll dhe Sergey Sirotkin do të zbresin në pistë sezonin e ri të Formula 1 me objektivin për t’u ngjitur në podium. Makina britanike ka bërë dje prezantimin e saj, skuadra e dytë që paraqitet për mediat pas Haas. Inxhinierët, të drejtuar nga shefi Paddy Lowe kanë punuar fort për të eliminuar mungesën e ngarkesës aerodinamike së vërejtur sezonin e kaluar edhe pse në disa gara Williams është ngjitur në podium. Ndërkohë që, spikat prania e “halo”, pjesa mbrojtëse e vendosur te koka e pilotit, një masë e detyrueshme këtë vit. Si Stroll ashtu dhe Sirotkin do të kenë në dispozicion fuqinë e motorit Mercedes për t’ia dalë mbanë, ndërsa Kubica do të bëjë rolin e kolaudatorit këtë sezon. “Ishim kuriozë për të parë makinën e re, por jemi të kënaqur, pasi është punuar fort për të përgatitur një makinë sa më kompetitive. Jemi të kënaqur me sfidën e re dhe jemi stërvitur për të qenë gati për fillimin sezonin e ri. Viti 2017 ka qenë i rëndësishëm për mua, kam fituar përvojë dhe shpresoj që këtë sezon të jem edhe më kompetitiv”, tha Lance Stroll, në sezonin e dytë me Williams.