Në orën 6.40, filloi dridhja. Vdekja e tij ishte e tmerrshme, nuk vdiq menjëherë. Sipas kronikave, Kemmlerit iu deshën më shumë se 17 sekonda për të vdekur. Një rezultat që, ndër të tjera, ishte shumë pak njerëzor
I pari që u ul në karrigen elektrike ishte William Kemmler, 130 vjet më parë. U rrit jetim. Jetoi si shitës ambulant në Filadelfia, gjithmonë duke abuzuar me alkoolin. Në vitin 1889 vrau të fejuarën e tij me sëpatë dhe, pasi u arrestua, u dënua me vdekje. Një i dënuar special: i pari që vdiq në karrigen elektrike, instrumenti më i ri i vdekjes i “shpikur” nga Thomas Edison, një alternativë më “njerëzore” në krahasim me varjen. Sipas kronikave, më 6 gusht 1890, përpara 17 dëshmitarëve Kemmler deklaroi: “Zotërinj, ju uroj vetëm mbarësi. Mendoj se do të shkoj në një vend më të mirë, jam gati”. Burrave që po e lidhnin, iu tha: “Bëjeni punën tuaj me kujdes dhe bëjeni mirë. Unë nuk e kam me nxitim”.
Në orën 6.40, filloi dridhja. Vdekja e tij ishte e tmerrshme, nuk vdiq menjëherë. Sipas kronikave, Kemmlerit iu deshën më shumë se 17 sekonda për të vdekur. Një rezultat që, ndër të tjera, ishte shumë pak njerëzor. Pavarësisht gjithçkaje, karrigia u miratua nga shumë shtete amerikane dhe deri në vitet 1980 u bë mjeti kryesor për ekzekutimin. Më vonë u zëvendësua nga injektimi vdekjeprurës. Në trupin e njeriut injektohen substanca kimike që çojnë në bllokimin e aparatit frymëmarrës. Sot, siç raportohet nga Amnesty International, dënimi me vdekje zbatohet në 58 vende të botës. Dënimi me vdekje është hequr zyrtarisht në 98 shtete, e fundit në radhë është Letonia, në vitin 2013.
Pesë vendet që kanë numrin më të madh të ekzekutimeve kapitale janë Kina, Irani, Iraku, Arabia Saudite dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kina ka më shumë dënime më vdekje se të gjitha shtetet e tjera së bashku, por nga ana tjetër Pekini nuk e tregon asnjëherë numrin e saktë. Amnesty International që lufton për heqjen e dënimit me vdekje në botë, prej vitesh publikon raporte për të shpjeguar se dënimet shpesh vijnë nga procese të padrejta dhe mbi të gjitha në vendet ku aplikohet dënimi me vdekje të dhënat tregojnë se krimi nuk është dekurajuar.