Shtatëmbëdhjetë vjet pas realizimit të vazhdimit të dytë të filmave shumë të suksesshëm komikë, “Bad Boys”, dhe 25 vjet prej lansimit të filmit të parë, aktorët Will Smith dhe Martin Lawrence janë ribashkuar për filmin e tretë “Bad Boys for Life”.
Por, pse është dashur kaq shumë kohë për t’u realizuar ky projekt? Kur gazetarët ia parashtruan këtë pyetje në premierën hollywoodiane të filmit, Will Smith duke bërë shaka tha, “Sepse isha duke u dehur”, transmeton KTV.
Lawrence për gazetarët tha se arsyeja pse ky projekt ka vonuar 17 vjet, është ngase Smith po e priste skenarin e duhur për filmin.
“Ai, thjesht, nuk donte ta realizonte filmin pa qenë skenari i duhur. Kjo është meritë e tij. Dhe, mendoj që ky është filmi më i mirë nga të gjithë”, u shpreh ai.
Martin Lawrence, i cili në filmin e tretë e portretizon policin, i cili kërkon të pensionohet nga puna e tij e përcjellë me shumë stres dhe situata të rrezikshme, sërish inkurajohet nga partneri i tij, i personifikuar nga Will Smith, që ta realizojnë edhe një mision të fundit së bashku.
Regjinë e filmit e kanë bërë regjisorët belg, Adil El Arbi dhe Bilall Fallah, ndërsa producent i tij është Jerry Bruckheimer, i cili po ashtu e ka pasur të njëjtin rol edhe në dy filmat e parë. “Bad Boys for Life” do të fillojë së shfaquri nëpër kinematë amerikane nga e premtja.