Kampioni i botës në peshën e rëndë në kategorinë WBC, boksieri amerikan Deontay Wilder, ka konfirmuar se revanshi mes tij dhe britanikut Tyson Fury do të zhvillohet në maj.
Wilder, 40 fitore e 1 barazim në karrierën e tij, nuk përmendi një datë zyrtare për zhvillimin e kësaj sfide të dytë mes dy boksierëve, por mediat amerikane konfirmojnë se ajo do të zhvillohet më 18 maj.
Wilder deklaroi se këtë herë do të sigurohet që Fury, kur të bjerë në tapet, të mos ngrihet më, referuar duelit të fundit, ku britaniku edhe pse ra dy herë “KO” u ngrit dhe sfida e parë u mbyll në barazim.
Sfida e parë u zhvillua në Los Anxhelos, më 2 dhjetor, ku gjyqtarët vulosën barazimin, çka bëri që dy boksierët të arrijnë një marrëveshje për revanshin, që me shumë gjasa do të zhvillohet në Las Vegas.
“Dueli do të zhvillohet në maj. Ende nuk kemi një datë konkrete, por e sigurtë është që revanshi do të zhvillohet në maj.
Do të jetë një tjetër sfidë e jashtëzakonshme, ashtu si e para. Këtë herë do ta bëj të heshtë dhe të mos ngrihet më, do ta fitoj duelin me “KO”.
Këto gjëra i realizova edhe në sfidën e parë, por këtë herë ju garantoj se nuk do të ketë më gabime. Amerika më beson dhe unë nuk do t’i zhgënjej fansat e mi”, tha Wilder.