Boksieri amerikan Deontay Wilder korri një tjetër fitore madhështore në ring, duke mundur me nokaut në raundin e 10-të kubanezin Luis Ortiz dhe regjistroi fitoren e 40-të në karrierën e tij (39 fitore me nokaut). Dhe, mbi të gjitha, mbrojti titullin kampion bote në peshat e rënda, në kategorinë VBC. Të dy boksierët ishin të pamposhtur para kësaj sfide, por në fundin e saj Ortiz u detyrua të dalë kokë ulur. Uilder e hodhi edhe më parë në tapet rivalin e tij, fillimisht në raundin e pestë dhe më pas dy herë në raundin vendimtar, por edhe vetë e pa veten keq në të shtatin. Një përballje epike mes dy boksierësh të mëdhenj në peshat e rënda, një duel që i ngjau atij mes Joshua dhe Klitschko, duke qenë pa dyshim dhe sfida më e vështirë për Uilder në ring në gjithë karrierën e tij. Edhe Ortiz dueloi si i barabartë dhe në disa moment e vuri në vështirësi amerikanin, por pas raundit të 8-të kubanezi u duk i lodhur dhe në të 10-tin nuk kishte më fuqi të qëndronte në këmbë, duke u rrezuar disa herë në ring. Ndaj dhe gjyqtari u detyrua ta ndalte sfidën dhe t’i jepte fit oren Wilder, që në këtë mënyrë hedh një tjetër hap përpara drejt duelit me Joshua. Edhe pse Wilderbëri një start të mirë të duelit nuk arriti të ishte shumë bindës në ring, ndërkohë që e rriti ndjeshëm performancën me kalimin e minutave. Ortiz u mbrojt mirë dhe shfrytëzoi të gjithë përvojën e tij për të shpresuar fitoren dhe në një moment pati shansin për ta mbyllur duelin në favorin e tij, por pa sukses. Kështu, pas 28 fitoresh (24 me KO) vjen humbja e parë për kubanezin “King Kong” në ring, por humbje me dinjitet, duke dueluar fort. Nëse sfida mund të kishte shnkuar deri në raundin e 12-të, Ortiz mund të kish bërë surprizën, por Wilder tregoi edhe një herë se është një përbindësh.