Werderi do ta shesë Rashicën në verë

35

Werder Bremeni përfundimisht do ta nxjerrë në shitje sulmuesin e Përfaqësueses së Kosovës, Milot Rashicën pas përfundimit të sezonit aktual.

Mediumet gjermane kanë raportuar të premten se te Werderi po shpresojnë që të marrin një ofertë prej 15 milionë eurosh për Rashicën, vlera e të cilit ka rënë dukshëm kohët e fundit.

Rashica ka kontratë me Werderin deri vitin e ardhshëm dhe nuk është i interesuar ta rinovojë atë pasi ka kohë që ka kërkuar largimin nga ekipi gjerman.

Para fillimit të këtij edicioni, Rashica ishte pranë largimit, por kërkesa e Werderit prej 20 milionë eurosh për lirimin e tij, bëri që skuadrat e interesuara për kosovarin të tërhiqen.

Rashica 24-vjeçar këtë edicion ka pasur telashe me lëndime dhe deri më tani ka shënuar dy gola dhe ka bërë pesë asistime në 22 paraqitje në Bundesligë. Ai është pjesë e Werderit prej janarit të vitit 2018 kur iu bashkua nga Vitesse.