Trajneri i Arsenalit, Arsene Wenger ka kritikuar mesfushorin shqiptar Granit Xhaka, pasi ky i fundit u ndëshkua me të kuq në takimin Arsenal-Burnley. Reprezentuesi zviceran sot u ndëshkua me të kuq në fitoren 2 me 1 ndaj Burnleyt në Premier Ligë, duke u ndëshkuar për herë të dytë në sezon pas kartonit të marrë ndaj Swanseas në tetor. Trajneri francez ka thënë se Xhaka duhet të ketë kujdes që të mos e ndëshkojë skuadrën me gabime të tija. “Ai duhet të kontrollojë lojën e tij dhe të mos ndëshkojë skuadrën me humbjen e kontrollit në ndërhyrje. Nuk inkurajojmë mesfushorët të bëjnë ndërhyrje. Ne duam që ata që qëndrojnë në këmbë dhe të mos bëjnë ndërhyrje të tilla. Nëse është e rëndë, është karton i kuq”, ka thënë Wenger. Xhaka u ndëshkua në minutën e 65-të të ndeshjes, ndërsa Arsenali arriti në sekondat e fundit të shënonte për 2 me 1 dhe për të dalë në pozitën e dytë në tabelë.