Trajneri legjendar i Arsenalit George Graham, në një intervistë për Guardian, ka folur gjerë e gjatë për futbollin anglez. Ai ka vlerësuar lart trajnerin aktual të Arsenalit, Arsene Wenger, në punën që bëri për të revolucionarizuar Arsenalin dhe futbollin anglez në përgjithësi. Sidoqoftë, ai mendon se tashmë është koha për energji dhe ide të reja në klub, dhe meqë Wenger është poashtu një legjendë, duhet t’i lëshojë rrugën një trajneri tjetër. Ai e ka vlerësuar francezin sidomos për inteligjencën e lartë, një gjë e cila iu mungon shumicës së trajnerëve tjerë.
Më tej ai ka folur për suksesin e jashtëzakonshëm të vitit 1989, kur në mënyrë befasuese i morën Liverpoolit titullin nga duart. Arsenali shkonte në Anfield, në ndeshjen e fundit të ligës, me një disavantazh të madh. Duhej të fitonte me rezultat të paktën 2 me 0, që të fitonte titullin. Dhe në atë kohë, të fitoje në Anfield, ishte e zorshme edhe të mendohej e lëre më të bëhej. Veç kësaj, disa javë më parë kishte ndodhur tragjedia e Hillsborought, ku kishin mbetur të vdekur 96 tifozë të Liverpoolit.
Por, Arsenali ia kishte dalë mbanë. Në minutën e fundit të ndeshjes, ku nuk kishte mbetur më as shpresë, dhe Graham shihej i nervozuar në bankinë, Thomas shënoi dhe i dha Arsenalit titullin e nëntë të Ligës. Një rikthim aq sensacional ka ndodhur në vitin 2011, kur Aguero arrin ta përmbysë epërsinë e QPR dhe t’ia marrë titullin nga duart Manchester United-it.
Aktualisht ai e vlerëson Mauricio Pochetinon, për mbrojtjen e fortë që ka arritur të ndërtojë. Sa i përket mbrojtjes, Graham ishte mjeshtër. Ai njihej për lojën e mërzitshme por shpesh efikase që e çoi Arsenalin drejt dy titujve të kampionit. Pas tij, një vit e diçka më vonë, erdhi Arsene Wenger i cili aplikoi filozofi krejtësisht të ndryshme futbolli – me lojë të bukur që i dha edhe rezultate shumë të mira.
Sidoqoftë, Graham e kishte ‘tradhëtuar’ Arsenalin pasiqë kishte kaluar te rivali më i urryer, Tottenham Hotspur.