21 vjet më parë, Arsene Wenger zbarkoi në Angli me një CV të varfër dhe relativisht si një njeri i panjohur në botën e futbollit. Sot pas dy dekadave në stolin e Arsenalit, francezi numëron 15 trofe me Arsenalin, skuadra luan në një stadiu të ri larg mitikut “Highbury” dhe në total ka shpenzuar rreth 700 milionë Pound për të afruar disa nga lojtarët më të talentuar të planetit. Por cila është trashëgimia e Wenger në futbollin britanik? Për shumë njerëz ai ka arritur të transformojë futbollin ishullor, por për një pjesë tjetër, Wenger mbetet një trajner i dështuar që nuk arrin të fitojë një titull në Angli që prej më shumë se 12 vjetësh. Në dy dekada te “Topçinjtë”, Wenger ka bërë një rrugëtim të gjatë që gjithsesi në bazë të sukseseve mund të ndahet në dy epoka, 10 vjeçari i parë shumë i suksesshëm dhe i dyti me shumë ulje ngritje. 2012-ta ishte edhe viti i tij më i vështirë në krye të Arsenalit pasi mbylli sezonin e shtatë pa asnjë trofe edhe pse skuadra e francezit renditej rregullisht mes katër të parave, madje shpesh herë me ironi edhe kritikët e tij i kujtojnë numrin 4. Realiteti është ky, Arsenali i tij, përveç sezonit të fundit, e ka mbyllur klasifikimin në zonën Champions League dhe këto arritje i kanë siguruar klubit të ardhura të mëdha pasi kompeticioni europian siguron të ardhura të mjaftueshme për të bërë një merkato cilësore. Në 21 vjet karrierë të Arsenali, më shumë se Wenger kanë arritur të fitojnë vetëm Chelsea dhe Manchester United, ndërsa vetëm Sir Alex Ferguson e parakalon në listën e trajnerëve pasi skocezi ka arritur të dominojë në çdo aspekt ndaj francezit. 758 ndeshje me 57.8 % fitore numëron Wenger në Premier League duke u renditur sërish i dyti pas Ferguson. Padyshim që ai është trajneri më jetëgjatë në radhët e Arsenalit, madje gjatë mbretërimit të tij në stolin e londinezëve, Chelsea, Liverpool, Manchester City dhe Manchester United kanë ndryshuar 42 trajnerë në total. Gjithsesi, pavarësisht rekordeve të panumërta, pikëpyetjet në lidhje me arritjet e tij në 10 vjeçarin e fundit vazhdojnë të qëndrojnë. Teknikat e reja të trajnimit dhe futja në masë e teknologjisë si një aspekt mbështetës në punën e trajnerëve nuk e kanë ndihmuar aspak Ëenger që preferon të qëndrojë besnik i teknikës së vjetër.
Që në sezonin e dytë ai arriti të fitonte kampionat dhe kupë ndërsa në 8 vitet e para koleksionoi tre tituj kampion. Tetë vite që kulmuan me sezonin e paharrueshëm 2003-2004 ku “Topçinjtë” e mbyllën me 49 ndeshje pa asnjë humbje. Më pas, vetëm errësirë sepse 9 vjet pa trofe janë shumë për një klub si Arsenali dhe jo pa arsye gjatë sezonit të shkuar, tifozët kërkuan në masë largimin e tij. Klubi nuk dëgjoi askend dhe vendosi ta rinovonte kontratën me francezin në shenjë respekti për gjurmët që ai ka lënë në këtë klub ku lojtarët i cilëson si djemtë e tij.
Nga shumë kritikë Wenger cilësohet edhe si një trajner që shpenzon pa kriter por a e mbështesin statistikat këtë teori? “Mënyra e vetme për t’u bërë një menaxher i suksesshëm është që t’i shpenzosh paratë e klubit njëlloj sikur janë të tuat”, ka deklaruar dsa vite më parë francezi që në 21 vitet e fundit ka shpenzuar më pak se Chelsea, Liverpool dhe dy klubet e Manchesterit dhe tre goditjet e tij më të shtrenjta janë Lacazzete, Oezil dhe Xhaka. Kontrata e 67-vjeçarit skadon në në fund të këtij sezoni dhe zërat që ai të heqë dorë janë gjithonë në rritje. Megjithëse ka arritur të triumfojë në 6 nga 11 finalet e luajtura Ëenger nuk ka arritur ende të koleksionojë një trofe europian dhe fundi i këtij sezoni me shumë mundësi mund të jetë edhe fundi i rrugëtimit të tij 20 vjeçar te Arsenali.