Webometrics: UKM e para, UEJL e treta dhe UT e pesta

UEJL dhe Universiteti i Tetovës, ndryshe nga vitet e fundit, sivjet kanë shënuar ngritje në ranglistën e Webometrics. UT, nga pozita e tetë vitin e kaluar, sivjet është renditur e pesta, derisa UEJL mban vendin e tretë

 

Remzije BILALLI

Shkup, 25 gusht – Universiteti “Kirili dhe Metodi” (UKM) në Shkup edhe sivjet është universiteti që radhitet në vendin e parë në rangimin e Qendrës publike për hulumtime Webometrics. Me 100 pikë të grumbulluara (numri i studentëve, kushtet e punës dhe suksesi i studentëve), UKM në Maqedoni është regjistruar edhe si universiteti me vendin e parë në kategorinë për kërkime shkencore. Universiteti “Goce Dellçev” në Shtip është radhitur i dyti, ndërsa Universiteti i Evropës Juglindore në vendin e tretë në rangimin e Webometrics, shkruan gazeta KOHA.

UEJL dhe Universiteti i Tetovës, ndryshe nga vitet e fundit, sivjet kanë shënuar ngritje në ranglistën e Webometrics. UT, nga pozita e tetë vitin e kaluar, sivjet është renditur e pesta, derisa Universiteti Ndërkombëtar Ballkanik është ngjitur në pozitën e gjashtë. Në vendin e katërt është “Shën Klimenti i Ohrit” në Manastir, në vendin e shtatë Universiteti për Informatikë dhe Shkencë në Ohër, FON-i në vendin e tetë, Universiteti për Inxhinieri “Kirili dhe Metodi” në vendin e nëntë, ndërsa “Kolegji Amerikan” mban vendin e dhjetë.

Në fund të listës së Webometrics gjenden Akademia e Biznesit “Smilevski”, në Shkup, “Euro Kolegji” i Kumanovës, si dhe Akademia Ushtarake “Goce Dellçev”.

Webometrics është ranglista më gjithëpërfshirëse e vlerësimit të institucioneve të arsimit të lartë në të cilën numri i institucioneve që vlerësohen është rreth 30 mijë. Pas rangimit katastrofal tek “Lista e Shangajit” ku universitetet e Maqedonisë nuk ishin fare në listë, në bazë të Webometrics, vlerësimet e bëra në korrik të këtij viti, UKM radhitet në vendin e 1624, ndërsa ai i Tetovës në vendin e 5642 në listën e universiteteve më të mira në botë. Nga universitet private, në vendin e 4124 radhitet Universiteti i Evropës Juglindore, raporton KOHA.

Webometrics ka filluar të konsiderohet si një nga ranglistat më të rëndësishme botërore, sepse ndjek trendet e transformimit të arsimit të lartë me mbështetjen e teknologjisë së komunikimit e informimit. Rangimi bëhet në bazë të kritereve si njohjen e nivelit të mirë të punës shkencore të botuar, numrin e studentëve, si dhe përmbajtjen dhe shpërndarjen e informacionit nga burimet elektronike nga institucionet përkatëse. Në të gjitha matjet ndërkombëtare të cilësisë dhe referimeve shkencore, universitetet e Maqedonisë vazhdojnë të jetë dëshpëruese dhe shumë larg cilësisë të cilën e proklamojnë. (koha.mk)