WBA urdhëron dy kampionët e botës: Keni afat deri në këtë datë

Presidenti i WBA, Gilberto Mendoza, ka vendosur datën 1 prill si afat të fundit për arritjen e marrëveshjes mes dy boksierëve kampionë bote në peshën e rëndë, Oleksandr Usyk e Tyson Fury. Nëse deri më këtë datë nuk ka një kontratë të firmosur, atëherë ukrainasi do të mbrojë titullin e kësaj kategorie ndaj Daniel Dobouis.

Mendoza postoi një mesazh në rrjetet sociale, ku shkroi: “Ju njoftoj se u kam dërguar një afat dy boksierëve për arritjen e marrëveshjes mes tyre. Nëse deri më 1 prill nuk ka kontratë, atëherë WBA do të mandatojë zyrtarisht Dobouis të duelojë ndaj Usyk për titullin kampion”.

Pak kohë më parë u përfol se marrëveshja ishte arritur për një sfidë më 29 prill, por nuk ka asgjë zyrtare dhe firmat në kontratë nuk janë hedhur. Madje u përfol për një ndarje të të ardhurave 70-30 në favor të Fury dhe zhvillimin e sfidës në Wembley.

Advertisements

Pas këtij mesazhi të WBA ka reaguar edhe Usyk, që ia “kaloi topin” Fury, duke shkruar në rrjetet sociale: “Afati përfundimtar është caktuar dhe tani i takon Fury të vendosë. Ne kemi bërë gjithçka ishte në mundësinë tonë që kjo sfidë të ndodhë. Koha po mbaron”.