Boksieri rus Sergey Kovalev do të mbrojë mëngjesin e nesërm (05:00 me orën shqiptare) në Las Vegas titullin kampion bote të peshës super të mesme ndaj amerikanit Andre Ward. Një përballje mes dy boksierësh që janë ende të pamposhtur në karrierën e tyre, por pas kësaj sfide njëri do të pësojë disfatën e parë. Kovalev mban titujt kampionë bote të kësaj peshe në kategoritë IBF dhe WBO, ndërkohë që duelohet edhe për titullin e kategorisë WBA, që për momentin është vakant. Rusi ka zhvilluar 31 duele në karrierën e tij, ka fituar 30 (26 me KO) dhe barazuar një, ndërsa Ward ka zhvilluar 30 duele dhe i ka fituar të gjitha (15 me KO).
Një duel që pritet me interes dhe që konsiderohet si më të fortët e këtij viti në boks, pasi përballë janë dy rivalë që grushtojnë fort dhe janë të shpejtë në ring. “Objektivi im është vetëm fitorja, për të mbrojtur titujt kampionë. Do të jetë një sfidë e vështirë, por jam përgatitur”, tha Kovalev pak orë para fillimit të duelit. Por edhe Ward nuk heq dorë kollaj dhe e di që ky është shansi i artë i karrierës së tij, për t’u ngjitur në majën e olimpit. “Jam më i fuqishëm se rivali dhe do ta hedh KO në ring”, tha amerikani, që do të ketë edhe përkrahjen e mjaft fansave, duke qenë se duelohet në vendilindjen e tij.