Wanda Nara, bashkëshortja e Mauro Icardit, njëkohësisht edhe agjentja e tij shpesh herë është bërë kryefjala e mediave sportive në Itali. Së fundmi Wanda ka deklaruar se Icardi ka marrë një goditje të madhe me heqjen e shiritit të kapitenit.
Kujtojmë se Interi emëroi portierin Samir Handanovic kapiten të ri të klubit javën e kaluar, menjëherë pasi ia hoqi këtë të drejtë Mauro Icardit.
Tani, gruaja e tij, e cila pohon se Icardi dëshiron të vazhdojë me Interin, thotë se vendimi i Interit për t’ia marrë shiritin e kapitenit ka qenë sikur goditje pas shpine për të dhe burrin e saj. Duke folur të dielën mbrëma në emisionin Tiki Taka, Wanda tha:
“Disa thonë se shiriti i kapitenit është i pakuptimtë, por për Mauron ka qenë sikur ia hoqën njërën këmbë e jo shiritin e kapitenit. Ai e vesh atë fanellë të Interit me aq krenari, dhe nëse do të merreshin vendime në të kaluarën mes parasë dhe dashurisë për fanellën, ai gjithmonë do ta zgjidhte fanellën”.