Nënkryetari i grupit parlamentar të CDU/CSU-së në Bundestagun Gjerman, Johann David Wadephul, dyshon se çelja e negociatave të BE-së me Shqipërinë mund të fillojë qysh në fund të dhjetorit.
Konkluzionet e Wadephul-it vijnë një ditë pasi në Tiranë ishte publikuar raporti i fondacionit Konrad Adenauer (KAS), fondacioni ky i afërt me partinë, së cilës i përket Wadephul dhe kancelarja Angela Merkel. Ndryshe nga raporti i mëparshëm, i dalë në pranverën e këtij viti, ku sistemi i qeverisjes së socialistëve në pushtet konsiderohej gati autokratik, raporti aktual është më i ekuilibruar dhe mban titullin: Dritë dhe hije – një analizë e parakushteve të BE-së për Shqipërinë.
Tri kushte të BE-së të paplotësuara
Si KAS ashtu edhe Wadephul vërejnë se veç kushteve të caktuara nga Bundestagu, Shqipëria nuk i ka plotësuar tërësisht as tri nga katër kushtet e caktuara nga Këshilli i BE-së, në mars këtij viti. Kështu, Byroja Kombëtare e Hetuesisë deri tani ka caktuar vetëm drejtoreshën. 60 hetues të tjerë ndodhen në procesin e përzgjedhjes çka nuk pritet të mbarojë në fillim të dhjetorit, konstatohet në raportin e KAS-it.
Po ashtu lufta kundër korrupsionit dhe larjes së parave, sipas KAS-it, ka përparime në aspektin e ndryshimit të dispozitave ligjore, por nga ana tjetër, korrupsioni dhe larja e parave kanë pësuar rritje. KAS-i i referohet kështu deklaratave të kohëve të fundit të prokurorit të përgjithshëm të Shqipërisë, Olsian Çela, për luftën mes bandave në Elbasan, por edhe raporteve të Transparency International, dhe disa institucioneve të tjera ndërkombëtare.
Vërejtje kanë si KAS ashtu edhe Wadephul për ligjin e medias, i cili nuk i ka marrë parasysh propozimet e Komisionit të Venecias.
Marrëveshje për kuadrin negociues me pikëpyetje
I pyetur se çfarë vendimi mund të pritet në samitin e rregullt të Këshillit të BE-së më 10./11. 12 2020, i cili këtë vit zhvillohet nën kryesinë gjermane, Wadephul u tha korrespondentëve të huaj në Berlin, se “shpreson që të ketë përparime” si për Maqedoninë e Veriut ashtu edhe për Shqipërinë. Wadephul nuk e konkretizoi se çfarë përparime mund të priten.
Burime diplomatike nga Berlini i sqaruan DW-së, se e shumta pritet një marrëveshje për kuadrin negociues, por pa datë. Por vëzhguesit nga Berlini parashikojnë se ka pak gjasa që kjo të ndodhë, nëse nuk arrihet më parë një kompromis mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Edhe Wadephul vuri në dukje se konsensusi në vendet e BE-së për çeljen e negociatave me Maqedoninë e Veriut është shumë më i madh se sa për Shqipërinë. Përsa i përket Shqipërisë, ai tha se ka edhe vende të tjera dyshuee, si Holanda dhe vendet skandinave.
Apel ndaj Bullgarisë
Për momentin Bullgaria po bllokon edhe çeljen e konferencës së parë ndërqeveritare, edhe miratimin e kuadrit negociues për Maqedoninë e Veriut. Wadephul u bëri thirrje dy vendeve fqinje që mosmarrëveshjet t’ua lënë historianëve. „Ballafaqimi me historinë është i nevojshëm. Këtë e dimë ne si gjermanë fare mirë, por ai nuk duhet të jetë kurrë parakusht për anëtarësimin në BE“, tha deputeti gjerman./ DW