Basketbollisti Dwyane Wade dhe Chicago Bulls kanë konfirmuar sot divorcin mes tyre, një zgjidhje e pritshme prej kohësh, me basketbollistin veteran që është në kërkim të një ekipi të ri, që mund t’i garantojë titullin kampion. Wade, 36 vjeç, ka hequr dorë nga një kontratë, nga e cila përfitonte 9 milionë dollarë në sezon, për të gjetur një ekip të ri, me të cilin mund të duelojë për titullin. “Edhe pse jam 36 vjeç mund të luaj ende për titull. Nuk kam folur ende me asnjë skuadër edhe pse e kam në mendjen time një listë skuadrash me të cilat do të bisedoj”, ka thënë Wade.
Wade ka 48 orë për të vendosur për një ekip të ri tani që është një lojtar i lirë (free agent). “Po kërkoj një skuadër dhe një vend që është ideal për mua, pasi mund të jap ende një kontribut të rëndësishëm. Vendimi im do të merret tërësisht në bazë të profesionalizmit, pasi do të shkoj te skuadra më e përshtatshme për mua, në këtë moment të karrierës time. Një ekip ku edhe unë mund të jap kontributin tim”, tha Wade. Katër janë skuadrat ku veterani i NBA-së mund të luajë sezonin tjetër: Cleveland Cavaliers, San Antonio Spurs, Oklahoma City Thunder dhe Miami Heat.