Një shef ekzekutiv i VW-së ka thënë se veturat elektrike janë “afër” barazimit me çmimet e veturave me benzinë dhe kur kjo të ndodhë do të jetë një “pikë kthese” për veturat elektrike.
Reinhard Fischer, zëvendëspresident i lartë i “Volkswagen Group” dhe shef i strategjisë për brendin VW në Amerikën Veriore, këtë koment e ka bërë për “Automotive News”, duke theksuar se pika e kthesës është shumë afër dhe se ajo nënkupton uljen e çmimit të VE-ve. Ai beson se veturat elektrike të VW-së do të bëjnë që çmimi i tyre të ulet.
VW-ja momentalisht është duke investuar miliarda në mënyrë që të ndryshojë kapacitetin e prodhimit të veturave krejtësisht elektrike nga disa mijëra njësi në vit në 2-3 milionë copë vetura krejtësisht elektrike në vit deri më 2025, transmeton Koha.net. “Porsa të tejkalohet frika e diçkaje të re, do të kuptoni se veturat elektrike janë zgjedhje më e mirë për ju. Nuk mendoj se do të duhet shumë kohë për bindje. Ka kureshtje të madhe për to. Kur ‘ia shtini lapsin’, e shihni se një veturë krejtësisht elektrike kushton sa gjysma e një veture me benzinë për të operuar”, thotë Fischer.
Ai tregon se çfarë i brengos njerëzit aktualisht në lidhje me këto vetura. “Ende ekziston një frikë për ngasjen e veturave elektrike nëpër ujë. Për 50 vjet, i kemi edukuar njerëzit se elektriciteti dhe uji nuk bën të përzihen”, thotë ai. Ai përmendi edhe infrastrukturën rimbushëse të këtyre automjeteve.
“Kujtojmë se 100 vjet më parë, benzina është shitur nëpër barnatore. Sot, kemi 122 mijë pompa benzine në SHBA. Është transformuar nga një ‘grykë shisheje’ në komoditet. Edhe rimbushja elektrike do të bëhet kështu”, tha Fischer. Në Amerikën Veriore, VW-ja është duke vendosur stacione rimbushëse elektrike përmes “Electrify America” ndërsa në Evropë, kompania po merr pjesë në rrjetin rimbushës “Ionity”.