Në ditën kur Serbia u përgëzua nga Bashkimi Evropian për referendumin e suksesshëm, në Kosovë kanë vazhduar polemikat për ndalesën e Qeverisë në hapjen e qendrave të grumbullimit.
Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, të hënën, anëtarët janë deklaruar rreth referendumit të Serbisë.
Shefja e Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se rezoluta e Kuvendit rikonfirmoi vullnetin e të gjitha partive politike. Ajo ka lënë të kuptohet se nuk do të ketë qendra të grumbullimit as për zgjedhjet e prillit në Serbi.
“Votimi për zgjedhjet, qofshin ato parlamentare apo siç ishte me referendum të një shteti tjetër apo të shtetasve të tjerë me dyshtetësi, është i paraparë dhe si shumë herë u ritheksua ditën e shtunë në Kuvend, ekzistojnë metoda si votohet: votohet me shkuarje në shtetin ku mbahen zgjedhjet, me postë apo në zyrat e atij shteti. Si parim dhe si proces është përcaktuar dhe mund të bëhen përgatitjet tashmë dy apo tre muaj para mbajtjes së zgjedhjeve në Serbi, në mënyrë që të kuptohet se Kosova është një tërësi territoriale, një shtet i pavarur dhe sovran dhe një ligj i aplikueshëm për të gjithë njëjtë”, ka thënë ajo
Ndërkaq shefi i deputetëve të Partisë Demokratike, Abelard Tahiri, ka thënë se seanca e së shtunës ka qenë e panevojshme duke e konsideruar si tallje me deputetët e opozitës. PDK-ja kishte bojkotuar seancën.
“PDK ka qenë subjekti i parë politik që ka kërkuar nga institucionet të ruhet sovraniteti i shtetit, të mos lejohet mbajtja e një referendumi të Serbisë në Kosovë. Vlerësojmë që akti i Qeverisë që të mos lejohet një veprim i tillë ka qenë akt i detyrueshëm në mbrojtje të sovranitetit. Seanca ka qenë e panevojshme dhe e kam parë më shumë tallje me deputetët e opozitës dhe ne nuk kemi dashtë të bëhemi pjesë e një seance të tillë”, ka thënë ai.
E Besnik Tahiri i AAK-së është shprehur se veprimi i deputetëve duke e obliguar Qeverinë ta mbrojë sovranitetin nëpërmjet miratimit të rezolutës ka qenë obligim për secilin.
“Pozicioni i AAK-së në seancën e së shtunës për çështjen e referendumit ka qenë parimor, i kemi dhënë mbështetjen Qeverisë në raport me këtë temë. Unë kam shkuar te kryetari i Kuvendit i kam thënë se nëse kjo seancë kthehet në seancë ku deputetët tregojnë cili është me patriot se tjetri, atëherë ne do t’i tregojmë Qeverisë për gabimet qe i ka bërë gjatë gjithë kohës”, ka shtuar Tahiri.
Në debat është përfshirë edhe ish-koordinatori shtetëror për dialog, Skender Hyseni, sipas të cilit lejimi i referendumit ka qenë obligim kushtetues i Qeverisë dhe kjo duhej të ndodhte në koordinim me aleatët e Kosovës. Sipas tij, rezoluta kundër referendumit është qyqarllëk i binomit Kurti-Osmani dhe servilizëm e hipokrizi politike e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Opozita dhe kritikët e Vuçiqit thonë se dalja e ulët prej 27 për qind në referendum tregon se shumica e serbëve me të drejtë vote kundërshtojnë manovrat politike të liderit serb në prag të zgjedhjeve të reja presidenciale. (koha.net)