Shkup, 7 dhjetor – Dyzetetetë vullnetar të rinj amerikan në Korpusin paqësor sot dhanë betimin zyrtar para ambasadorit amerikan Xhes Bejli. Ky është grupi i njëzet e tretë i vullnetarëve të cilët jetojnë dhe veprojnë në Maqedoni, nga hapja e zyrës në vend në vitin 1996. Vullnetarët e rinj do të kyçen në grupin e përbërë prej 750 vullnetar, të cilët deri tani kanë shërbyer në Maqedoni. “Vullnetarët jo vetëm që përfaqësojnë më të mirën që SHBA-ja i ofron botës, por kthejnë edhe më të mirën që Maqedonia mund t’i ofroj botës dhe SHBA-së, duke ndërtuar urrë të gjatë të bashkëpunimit mes njerëzve”, tha Bejli.
Si pjesë e trajnimit përgatitor vullnetarët kanë jetuar në familje nikoqir duke e mësuar gjuhën maqedonase dhe shqipe si dhe kulturën. Ata kanë mundësi dhe për trajnime praktike duke ligjëruar në shkollat lokale dhe duke ju ndihmuar organizatave joqeveritare. Pas dhënies së përbetimit, nga e shtuna vullnetarët e rinj të Korpusit paqësor do të fillojnë shërbimin e tyre dy-vjeçar në komunitetet në 35 komuna të ndryshme në Maqedoni. Ata do të punojnë si arsimtar të gjuhës angleze në shkolla, në sferën e zhvillimit të komuniteteve në organizatat joqeveritare dhe komuna, si dhe defektolog në qendrat ditore për personat me aftësi të kufizuara.
Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale Mila Carovska potencoi se ky institucion dhe Korpusi paqësor kanë bashkëpunim të shkëlqyer disavjeçar si pjesë e Programit për zhvillimin e komuniteteve. Ky bashkëpunim, shtoi ajo, përfshin mbështetje të grupeve të cenueshme, persona dhe fëmijë me aftësi të kufizuara të strehuar në qendrat ditore dhe qendrat që drejtohen nga organizatat e shoqërisë civile. Në këtë ngjarje fjalim mbajtën edhe ministrat e Arsimit dhe Shkencës dhe i Vetëqeverisjes Lokale, Arbër Ademi dhe Suhejl Fazliu.
Ademi theksoi se një pjesë e vullnetarëve do të përfshihen në punën e shkollave fillore dhe të mesme, që, siç tha, të kontribuojnë në përmirësimin e arsimit, qëllim në të cilin është fokusuar Qeveria. Ndërsa ministri i Vetëqeverisjes Lokale, theksoi se pjesëmarrja e vullnetarëve është veçanërisht e rëndësishme për komunitetet lokale sepse Korpusi paqësor më shumë se dy dekada me aktivitetet e veta jep kontributin e madh në përforcimin e miqësisë dhe bashkëpunimit midis Maqedonisë dhe SHBA-së.