Si u përul para viktimave në Vukovar i dërguari i presidentit, Alleksandar Vuçiq? Kjo histori tregon se mund të bëhet pak, por edhe shumë kur politika vendos. Ish-Jugosllavia e luftës nuk mund të ketë paqe të përhershme pa kaluar në procesin e spastrimit shoqërorë, përkatësisht përballjes me të shkuarën në të gjitha nivelet
Nga Idro SEFERI
Në moshën tetë vjeçare tashmë kisha eksperiencë me policinë dhe dhunën. Ndoshta duket si trillim, por kisha mbajtur mend edhe para vitit 1992, sepse bëhej fjalë për ngjarje traumatike. Unë i takoj gjeneratës që luftën e mbajnë mend shumë mirë dhe në detaje. Kam qenë vetëm disa vite më i ri për të qenë ushtar, kam qenë disa vite më i madh për të harruar. Por, këtu nuk dua të numëroj vuajtjet e luftës, viktimat në familje, plagosjet dhe terrorin. Isha mjaft i madh pasi kisha përjetuar bastisje, kisha parë rrahje dhe incidente të rënda. E dija se janë sanksionet, e dija që nëpër qytete asgjë nuk gjindej dhe dinarëve jugosllav po u rriteshin zerot si Pinokut hunda. Por, nuk e dija se ku është Vukovari. Luftën në Kroaci e mbajë mend si inserte pasi nuk kisha parë ndonjëherë përdorim të tillë artileri dhe sidomos e mbajë mend që luftimet natën më bënin përshtypje pasi plumbat dhe granatat dukeshin si një shou dritash. Kryesisht dukeshin të gjelbërta dhe të verdha. Por, e dija shprehjen kur dilja nëpër lagje dhe rrëzohesha ose luaja me top e kthehesha si zhgarravinë dhe pyetjen e zakonshme: mos ke qenë në Vukovar?!
Vite më vonë e kuptoj se nëse diçka ka qenë sinonim i përgjakjes paska qenë ky qytet i vogël e i bukur buzë lumit Danub në Kroaci dhe shumë në afërsi të Serbisë. Nja dhjetë vite pas luftës ishte udhëtimi im i parë në këtë qytet. Ende gjurmë pafund të luftës. Në atë kohë fasadat vazhdonin të ishin me vrima dhe nga numri i vogël i banorëve që lëviznin më dukej sikur po hynim pas çlirimit. Natyrisht në shesh disa shqiptarë që jetonin aty. Dhjetë vjet më parë mbase do të kishim ecur sipër kufomave që kishte përjetuar ky qyet pasi lufta këtu ishte bërë mjaft frontale. Serbia ishte e fuqishme dhe afër me kufirin dhe mund të granatonin edhe nga territore të sigurta. Kroatët duhej ta mbanin. Beteja më e madhe kishte qenë nga gushti në nëntor kur lufta s’kishte pushuar për asnjë ditë për hiç më pak se 87 ditë me nga rreth 12 mijë predha në ditë. Serbët kishin mbi 30 mijë trupa, kroatët disa mijëra vullnetar, përfshirë edhe disa shqiptarë që i ishin bashkuar luftës. Disa qindra ishin masakruar përfshirë të sëmurët në spital që ishin vrarë dhe më vonë serbët kishin arritur ta merrnin qytetin, për ta riintegruar tërësisht vetëm tri vite pas luftës dhe marrëveshjes së Dejtonit, në vitin 1998.
Në atë kohë, më 1995, e mbaj mend pas shkollës që në televizor kishte filluar diskutimi në Amerikë për ndalimin e luftës. I mbajë mend Sllobën e serbëve, Franje Tuxhmanin e kroatëve dhe Alia Izetbegoviqin tek firmosin diçka që dekada më vonë do të tregohej si një marrëveshje për të mbyllur luftën, por jo edhe për të sjellë paqen.
Kroatët aty shpesh të zemëruar nuk lejuan më të dëgjohej zëri i serbëve, thyen shkronjat e tyre, ua humbën gjurmët në qytet. Serbët i gjeja gjithmonë në një paralagje të dy kafe të tyre. Por, me një nivel të respektueshëm komunikimi. Për 25 vjetorin isha futur me makinë me targa të Beogradit nëpër turmën që shënonte kilometra dhe kishte mbi 100 mijë njerëz. Gabimi i orientimit të policit më çoi drejt masës dhe për nja 10 minuta sa dola nuk u ndjeva shumë lehtë për arsye se duhej të ecja me shpejtësinë e njerëzve që mbanin flamuj dhe kishin ardhur për të kujtuar viktimat. Ishte diçka si kur shënohet epopeja e UÇK-së.
Në atë kohë gazetarët serb kishin ardhur pak në mëngjes dhe kishin ikur. Turma ishte e madhe. Aty ka qenë e vështirë të imagjinohet një ripajtim pasi dualiteti kroat serb nuk është i vogël.
Katër vjet më vonë Veran Matiq, ish themeluesi i televizionit B92, tani në cilësinë e zyrtarit të shtetit si anëtarë i disa komisioneve ndër të cilat për të zhdukurit, arriti si i dërguar i shtetit të Serbisë dhe presidentit Alleksandar Vuçiq, dhe me një kurorë lulesh pasi e vuri tek obelisku i të gjitha viktimave u përkul dhe bashkoi duart para fytyrës për të treguar përuljen më të lartë. Nja dy muaj më parë pati garë kur në Knin u shënua misioni “Oluja” ose rrufeja që bëri zhbërjen e Krainës atëherë dhe shkaktoi dëbimin e disa qindra mija serbëve. Atje për herë të parë shkoi zëvendëskryeministri serb i Qeverisë së Kroacisë, Boris Millosheviq, i cili ishte tani edhe në Vukovar. Millosheviqit ia kthyen veprimin kolegët kroat duke u përulur para viktimave serbe ndonëse Serbisë në atë kohë kjo nuk i pëlqej.
Pse Vukovari dhe kjo marrëdhënie me kroatët? Ndoshta është koha për ulje tensionesh pasi politikisht lufta nuk ka mbaruar gati kurrë. Pak ka ndryshuar qasja më pozitive e presidentit, Zoran Millanoviq. Ajo që e bënë koha është gjë tjetër siç janë bregdeti, edhe pse një pjesë e serbëve nuk shkojnë në Kroaci, apo edhe muzika e shkëmbimet tjera që nuk janë të pakta. Por, lufta ngelet si retorikë dhe jo vetëm në këtë rast. Javën që shkoi u ngriten tensione kur presidenti serb përmendi sërish luftën në një kontekst me Kosovën që mjaftoi të shkrepte në Prishtinë. Ajo që ndodh këtu është se paqja është e përzier me luftë. Ne luftërat i kemi përjetuar dhe nuk i kemi sqaruar zyrtarisht dhe nuk janë pranuar faktet. Në kohën kur gjykohen pjesëtarët e UÇK-së flasim prapë për të drejtën dhe atë se çfarë ka ndodhur.
Një histori tragjike me shumë viktima. Por, edhe viktimat shkojnë kryekëput me paqen. E shkuara, përballja, lidhen me kuptimin, e të kuptuarit më të ardhmen. Shifrat dihen dhe dihen edhe krimet, kontekstet. Por, nërkombëtarisht atyre nuk u është vënë pikë dhe pak drejtësi është bërë për luftën. Gjithsesi, a mund të ketë më luftëra? Dialogu nuk është se po zgjidh diçka, por të gjithë e dinë se realitetet janë tjera dhe pa luftë. Kosova dhe Serbia kanë dy mundësi, e para historia e vjetër e konflikteve pas të cilës bota do ti përjashtonte të dyja shoqëritë si dikur familjet problematike nga fshati. Mundësia e dytë është procesi i realitetit dhe një marrëveshje që do ti shërben paqes. Ndoshta është pak ajo që ndodhi në Vukovar, por është shumë për hapjen e derës drejtë të vërtetës, e vërteta çon direkt tek civilizimi i tjetrit dhe jo demonizimi i tjetrit që shfrytëzohet si mjet politik i qeverisjes. Por, që nuk pa na çon drejt kurrfarë përmirësimi. Kjo është dëshmi se shikimi para duke fshehur gjithçka pas nuk nënkupton paqe, por mohim. Krimet historikisht janë fshehur në Ballkan dhe ka tentime për shmangien e epilogut përfundimtar zyrtarë. Ish-Jugosllavia ka qenë në luftë dhe katarzën e ka nevojë të pashmangshme për të shmangur të ardhmen e ndërtuar mbi gënjeshtra dhe nxitje.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)